Libra

‘Para se të iki’- testamenti ‘politik’ i Flutura Açkës

Nga Gazeta “SI”- “Para se të iki” është testamenti i Flutura Açkës, deputete, e cila në katër vite, veç debateve parlamentare ka qenë pjesë edhe e përplasjeve të brendshme në parti.

50 shkrime mbi politikën dhe fenomene të  tjera të  lidhura me politikën, përbëjnë thelbin e këtij botimi i cili erdhi për lexuesin në  fillimin e muajit Shtator.

E mbushur asokohe me një frymë pozitive se ndryshimi do të vinte me liderin e ri në krye, rrugëtimi i mëpasshëm i shkrimtares në politikë sipas saj ishte zhgënjyes, së paku ashtu shprehet në librin e saj Flutura Açka.

Ajo e cilëson këtë libër jo mirëfilli politik, por një analizë të stilit të shkrimtares mbi politikën e atyre viteve kur Açka ishte pjesë aktive e saj.

“’Para se të iki’, nuk është shkruar si një libër mirëfilli politik, me analiza politike të ngjarjeve të këtyre katër viteve si deputete, as me mbresa mbi ndodhi të caktuara të politikës shqiptare, në të cilat kam qenë e pranishme. Një libër analitik mbi politikën shqiptare, si e njoha dhe si e perceptova unë, si e gjeta dhe si e lashë në fund, do të donte më shumë kohë shkrimi, por edhe një kohë më të gjatë reflektimi mbi ngjarjet, si edhe një largësi të duhur higjienike me kohën kur ato kanë ngjarë.

Shënimet e këtij libri në formën tekstuale të japin mundësinë t’i rishikosh më gjatë, më vonë, pasi janë vetëm penelata të shpejta për çështje të thukëta të ditës, të ndjeshme për mua në çastin kur i kam shkruar, arsye pse deri në variantin e botuar, i kam redaktuar dhe plotësuar më me kujdes”- shkruan Açka

Ajo e pranon se në katër vite, metamorfoza ka qenë kaq e shpejtë dhe shndërruese, sa miqtë e startit, në finish u shndërruan në “armiq”, në njerëz të cilët nuk i lidhte më asgjë. Por përtej kësaj ajo thekson se principet mbeten të njëjta deri në fund.

“Për disa nga ngjarjet që kam trajtuar në libër, rrethanat mund edhe të kenë ndryshuar nga koha kur i kam shkruar, dhe vetë ngjarjet të kenë marrë dritë tjetër politike, por unë vendosa të mos e ndryshoj qasjen time për to, pasi shënimet këtu kanë tatuazhin e atyre bindjeve që kam pasur kur i kam shkruar, por edhe sepse mund të kenë ndryshuar vetëm rrethanat, por jo principet që i mbajnë ato politikisht”.

Në mbyllje të legjislaturës së 31-të të Kuvendit të Shqipërisë, Açka thekson se ky libër i përbërë nga 50 njësi politike është testamenti i saj jo vetëm për qytetarët dhe votuesit, por edhe për politikanët pasardhës, të cilët politikën duhet ta shohin jo vetëm si një zeje për të përmirësuar jetën e qytetarëve, por edhe si një përgjegjësi për të ndryshuar vetë politikën e këtyre viteve.

“Ditët e para të shtatorit mbyllet Legjislatura e 31-të e Kuvendit të Shqipërisë, pjesë e së cilës kam qenë për katër vite. Në mbyllje të detyrës, si deputete e shqiptarëve në Kuvendin e Shqipërisë, meqenëse i kam ndjekur me kujdes zhvillimet politike, veçmas ato gjatë fushatës elektorale të fundit, vendosa t’i përmbledh shënimet e mia për disa çështje, me bindjen se janë nga ato brenga politike që na shqetësojnë të gjithëve, por pse kanë qenë pjesë e debateve tona në publik.

Sigurisht, ato kanë stilin tim të rrëfimit, kanë tonin opozitar të gjuhës sime politike dhe as e shmangin dot vokacionin tim të djathtë si deputete e demokratëve, por gjithqysh, ngaqë janë reflektime mbi ngjarje dhe fenomene të caktuara, në kushte të caktuara, kanë edhe mundësinë të shihen sërish në një ditë të re, të shqyrtohen në rrethana të reja, për çka jam e hapur ndaj çdo këshille nga miq dhe kolegë, veçmas prej atyre që e shohin politikën, jo vetëm si zeje për të përmirësuar jetën e qytetarëve, por edhe si përgjegjësi politike, dhe jo vetëm, politike”.

Në promovimin e librit morën pjesë miqtë e Fluturës, shkrimtarë, studiues por edhe politikanë të dy kaheve. Ajo që binte në sy ishte prezenca e kolegëve të saj në parlament si Bujar Leskaj, Ervin Salianji, Merita Bakiu, por edhe deputetë të kahut tjetër politik si Taulant Balla, Ermonela Felaj.

 “Para se të iki” është libri i parë politik i Flutura Açkës dhe me gjasë i fundit.

Açka shënon edhe mbylljen e një etape intensive të saj në politikë dhe kalimin në rolin e shkrimtares me kohë të plotë, në gjirin e letërsisë, aty ku Flutura është rritur dhe është përkujdesur prej vitesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë