Gazeta Si – Vetëm dy javë pasi Ermir “Cinco” Ndreaj, një shqiptar, i cili ka jetuar gjatë në Anversë dhe organizata e tij, pësuan një goditje, SPAK shkatërroi një tjetër organizatë kriminale, që njihet si klani “Çopja”.
Anëtarët e klanit u arrestuan në vende të ndryshme në të gjithë Shqipërinë, ku u sekuestruan prona dhe mallra luksoze, por kreu i organizatës, Franc Çopja alias Gergely, para dhe pas ekstradimit në Belgjikë, e vazhdoi aktivitetin e tij tregtar në Dubai, duke shitur pasuri të paluajtshme me miliona euro fitim.
Ndërkohë, SPAK raportoi javën e kaluar se u sekuestrua një vendpushim luksoz në qytetin bregdetar të Durresit, ndër asetet e tjera, e cila i përkiste një prej anëtarëve, tashmë i shpallur në kërkim.
Por është klani “Çopja”, ai që mbahet përgjegjës për kontrabandën e shumë tonëve kokainë nga Paraguaj në Evropë, kryesisht në portet e Anversës (Belgjikë) dhe Hamburgut (Gjermani).
“Kjo organizatë kriminale mund të konsiderohet si një nga më të fuqishmet me origjinë shqiptare në tregtinë ndërkombëtare të kokainës. Ajo kishte kapacitetin për të ndikuar drejtpërdrejt në çmimin e kokainës në tregun europian”, thanë prokurorët në Shqipëri.

Hetimi bazohet kryesisht në mesazhet e hakuara nga shërbimi i enkriptuar i bisedave “Sky ECC”, i cili u deshifrua (pjesërisht) nga hetuesit belg të Anversës.
Këto mesazhe zbuluan se klani “Çopja” ishte përgjegjës për të paktën dy dërgesa mega-kokaine, njëra prej të cilave mbetet kapja më e madhe e drogës në Europë.
Në shkurt të vitit 2021, një sasi marramendëse prej 16.4 tonë kokainë, e fshehur në kanaçe me bojë, u gjet në tre kontejnerë në Portin e Hamburgut. Kjo ngarkesë kishte një vlerë potenciale në rrugë prej gati 1 miliard eurosh.
Deri në atë pikë, “Sky ECC” ishte hakuar tashmë dhe hetuesit po dëgjonin drejtpërdrejt bisedat e kriminelëve të drogës.
Disa muaj më parë, në nëntor të vitit 2020, klani “Çopja” kishte arritur të importonte një dërgesë masive kokaine.
Sipas SPAK, 11.6 tonë kokainë u dërguan nga Paraguai në kanaçe me bojë dhe sapun në portin e Anversës.
Disa ditë më vonë, 600 kilogramë të tjerë kokainë, një pjesë e mega-ngarkesës, u sekuestruan në depot e organizatës në Roterdam të Holandës.

Kishte gjithashtu 2 milionë euro në para cash. Me sa duket, këto para duhej të transportoheshin ende në Shqipëri.
“Për këtë qëllim, organizata përdori shoferë autobusësh shqiptarë që lëviznin paratë cash gjatë transportit të pasagjerëve. Ata merrnin një komision prej 2 përqind për këtë”, – raportoi SPAK.
Me kërkesë të SPAK, dhjetë të dyshuar u arrestuan javën e kaluar. Shumica në Shqipëri, por i dyshuari më kryesor mori urdhër-arrestin e tij në një burg belg.
Ai është udhëheqësi i klanit “Çopja”, Franc Copja. Në Belgjikë, ai njihet më mirë me pseudonimin e tij si Franc Gergely.
Bosi i mafies shqiptare ndodhet në një burg belg që nga fundi i dhjetorit 2023, pasi u bë krimineli i parë i drogës që u ekstradua nga Dubai në Belgjikë.
Ai do të dalë në gjyq në Belgjikë për vrasjen e Ardit Spahiut, i cili u qëllua me plumba në rrugë në Molenbeek në nëntor 2020. Autoritetet belge e konsiderojnë Gergely-n, si njeriun që dyshohet se urdhëroi vrasjen.
Viktima Spahiu ishte gjithashtu një njeri me reputacion; ai, nga ana tjetër, konsiderohej një udhëheqës i klanit “Alibej” (njeri i familjes me Endrit dhe Erion Alibej: i pari u ekzekutua në atë që njihet si “masakra e Bradasheshit” në Elbasan para disa vitesh, ndërsa vëllai i tij është kthyer në një të penduar të drejtësisë për llogati të SPAK).

Nuk është ende e qartë nëse urdhër-arresti nga Shqipëria kundër Gergely-t do të thotë se ai do të ekstradohet apo se do të gjykohet fillimisht në Belgjikë për vrasjen e Spahiut.
Por para ekstradimit të tij, Franc Çopja kishte jetuar në Dubai për një kohë të gjatë (ashtu si vëllai i tij Hajdar Çopja, i shpallur në kërkim nga SPAK) dhe kontrollonte trafikun e kokainës prej andej.
Ai shiti pasuritë e tij të patundshme në Dubai në muajt para ekstradimit të tij në dhjetor 2023 dhe madje deri në shkurt 2024.
Sipas mediave belge, 43-vjeçari shiti apartamente me vlerë 12 milionë euro në Dubai, të cilat gjeneruan një fitim prej 3.7 milionë eurosh.
Në janar të këtij viti, SPAK vendosi sekuestrimin e 10 milionë dollarë në kriptovaluta të dy vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja nga Elbasani.
Përveç miliona dollarëve në kriptovaluta, Prokuroria e Posaçme i sekuestroi dhe dhjetëra pasuri të tjera të paluajtshme, si vila, toka, njësi banimi, njësi shërbimi, apartamente etj.
Njëri nga vëllezërit Çopja, Franci, është ekstraduar në Belgjikë nga Dubai prej më shumë se një viti. Autoritetet belge e kishin shpallur në kërkim si të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge nga vendet e Amerikës Latine, së bashku me vëllain tjetër, Hajdarin, i cili vijon të jetë në arrati dhe dyshohet se fshihet në Dubai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



