Taksa

‘Paqja fiskale’, si do tatohen bizneset që s’duan kontrolle tatimore. Falen 500 mln euro borxhe

Nga Gazeta ‘SI’ – Paralelisht me buxhetin e vitit 2026, Kuvendi do të votojë edhe për “Paqen Fiskale”, projektligji i premtuar nga kryeministri Edi Rama gjatë fushatës zgjedhore.

Sipas draftit të hartuar nga ministria e Financave, bizneset me të ardhura mbi 14 mln lekë do të futen vullnetarisht në marrëveshjen e “paqes” me shtetin, duke parapaguar një tatim-fitim me bazë më të gjerë dhe në këmbim nuk do të kenë vizita nga kontrollorët tatimorë.

Konkretisht, një biznes që kalon fashën e të ardhurave vjetore 14 mln do të paguajë një tatim bazuar mbi deklarimet e mëhershme plus një shtesë 18%. Në rast se fitimi i vërtetë në fund të vitit tejkalon kufirin mbi këtë shtesë do të paguhet 5%.

Kjo marrëveshje do të mund të rinovohet dy herë për 1 vit, pra 3 vite në total.

Bizneset që janë në procese gjyqësore apo hetimi për mashtrim dhe evazion fiskal.

Paqja nga ana tjetër parashikon dhe fshirjen e detyrimeve për bizneset.

Sipas draftiti, qeveria do t’i fali bizneseve më shumë se 500 mln euro detyrime të papaguara, në kuadër të Paqes Fiskale.

Sipas projektligjit të ministrisë së Financave, parashikohet fshirja e plotë e detyrimeve tatimore direkte apo indirekte të papaguara që i përkasin periudhave deri më 31 dhjetor 2014, përveç kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Për këto të fundit, parashikohet fshirja ose shuarja e dënimeve administrative dhe kamatëvonesave për periudhat deri deri më 31 dhjetor 2014, duke përfshirë edhe të vetëpunësuarit në bujqësi, por pa përfshirë kontributin.

Për debitorët e periudhës janar 2015- dhjetor 2019, mund të fshihen pjesërisht detyrimet, nëse tatimpaguesi paguan 50% të detyrimit njëherësh brenda datës 30.6.2026, pjesa tjetër fshihet/shuhet; ndërsa nëse zgjidhet pagesa me këste mujore të barabarta brenda datës 31.12.2026 të 75% të detyrimit. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht.

Për detyrimet e periudhës nga 1 janar 2020 deri në 31 dhjetor 2024, fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave është e kushtëzuar me pagesën e plotë të detyrimit brenda datës 31.12.2026.

Bazuar në eksperiencat e zbatimit të ligjeve të faljes më përpara, është parashikuar që për vitin 2026, në total nga të dy administratat, priten të arkëtohen rreth 3.7 miliardë lekë nga zbatimi tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë