Sociale

Papa Françesku jep 100 mijë euro për të dëmtuarit nga tërmeti

Pas tërmetit që goditi Shqipërinë në orët e para të së martës të 26 nëntorit, Papa Françesku vendosi të dërgojë një kontribut të parë prej 100 mijë eurosh, të cilat do të shkojnë për personat e prekur nga tërmeti.
“Në këtë mënyrë Ati i Shenjtë dëshiron të shprehë afërsinë e tij shpirtërore dhe mbështetjen e tij atërore ndaj njerëzve dhe territoreve të prekur”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit Integral Njerëzor, i cili do të çlirojë fondin.
Shuma do të përdoret, në dioqezat e prekura nga tërmeti, në veprat e shpëtimit dhe ndihmës, në lidhje me Nunciature Apostolike në Shqipëri.
Kontributi i alokuar përmes dikasterit, i cili shoqëron lutjen e Atit të Shenjtë për popullin shqiptar, është pjesë e ndihmës që po aktivizohet në të gjithë Kishën Katolike dhe që përfshin, përveç Konferencave të ndryshme Episkopale, edhe shumë organizata bamirësie.
“Unë do të doja të dërgoja një përshëndetje dhe afërsinë time për popullin e dashur shqiptar, të cilët kanë vuajtur kaq shumë këto ditë – tha Papa në fund të seancës të së mërkurës së kaluar. – Shqipëria ishte vendi i parë në Europë që doja ta vizitoja. Unë jam afër viktimave, lutem për të vdekurit, për të plagosurit, për familjet. Zoti e bekoftë këtë popull që unë e dua aq shumë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë