Ekonomi

Paniku nga emigrimi, mosha e tretë jo më një kosto. 6 mld lekë për Planin e Moshimit

Sinjalet e moshimit të popullsisë shqiptare kanë nisur të pulsojnë prej vitesh, por paniku i rritjes së ritmit të moshimit në vend, po bën qeverinë të reflektojë për ti hedhur sytë nga mosha e tretë.

Kjo kategori moshore duket se do jetë pasqyra ku do të shohim veten më shpesh në dekadat që do të pasojnë, pas alarmit që kanë vënë studime të ndryshme për dëshirën e shqiptarëve e veçanërisht të rinjve për t’u larguar nga vendi.

Qeveria shqiptare ka hartuar një Plan Kombëtar Moshimi, i cili sipas draftit paraprak do ti kushtojë buxhetit të shtetit 6 mld lekë në pesë vite për përmirësimin e jetës së moshës së tretë në vend e cila pas 90-ës është harruar në një qoshe duke u konsideruar si kosto shtesë e një përditshmërie të vështirë në një vend me ekonomi të brishtë.
Deri në vitin 2025 qeveria parashikon të përcaktojë një pension minimal për pensionistët, shëndetësi dhe transport publik falas.

Drafti i Planit Kombëtar të Moshimit parashikon përshtatje graduale brenda 5 viteve e pensioneve të ulëta, me pensionin minimal. Ky proces do të shoqërojë forcimin gradual të të gjithë sistemit të pensioneve.

Rritje me rreth 5% çdo vit per 5 vite e 10,000 pensioneve te uleta
Bashkitë me mbi 100 000 banorë do të aplikojnë modele të subvencionimit të transportit për grupe të caktuara të të moshuarëve. 2000 të moshuar me pension social do të përfshihen në skemë.

Parashikohet ndërgjegjësimi i publikut në përgjithësi mbi mundësitë që ofron tregu i punës për punësimin e të moshuarëve. Sigurimi i përfshirjes së shumicës së institucioneve publike në iniciativa që nxisin sjelljet pozitive ndaj nëpunësve të moshuar dhe lufta ndaj diskriminimit lidhur me moshën në punë.

Do të krijohet modeli i ‘universitetit të moshës së tretë’ në një bashkëpunim mes institucioneve shtetërore dhe organizatave të shoqërisë civile (përgatitje e kurseve 1 ditore të edukimit mbi tema të ndryshme)

1000 të moshuar do të jenë pjesëmarrës në aktivitete të ‘të mësuarit gjatë gjithë jetës’
Parashikohet që deri në vitin 2025 të rritet me 1 vit jetëgjatësia mesatare dhe jetëgjatësia e shëndetshme (pa sëmundje).

Të ulet me 5% varfëria tek personat mbi 65 vjeç, e matur sipas standartit të Bashkimit Europian.

Të mbulohen 100% me shërbime shëndetsore dhe sociale personat mbi 65 vjeç.

Popullsia e Shqipërisë në 1 Janar 2019, rezulton 2.862.427 banorë duke pësuar një rënie me 0,3 %, krahasuar me 1 Janar 2018 . Tranzicioni demografik në Shqipëri ka kulmuar dukshëm me një “plakje” graduale të popullatës gjatë dekadave të fundit. Kështu, numri i individëve të moshuar përbën mbi 11% të popullatës së përgjithshme të vendit tonë, me një tendencë në rritje përgjatë viteve të ardhshme.

Një raport i Kombeve të Bashkuara referon se Shqipëria po plaket me ritme shumë të shpejta. Parashikimet e këtij organizmi tregojnë që, grupmosha 65 vjeç e lart do të rritet me gati 20 % deri në 2050-ën, kurse grupmosha 0-19 vjeç do të ulet me më shumë se 10%.
Kjo situatë amplifikohet akoma më shumë nga niveli i lartë i emigrimit të të rinjve dhe moshave të mesme, gjë që sipas qeverisë e bën të domosdoshme vendosjen e çështjeve të moshimit mes prioriteteve kryesore të qeverisë shqiptare.

Gjendja e të moshuarëve në Shqipëri

Problemi më akut i moshës së tretë është varfëria ekonomike, e shkaktuar nga mungesa ose pamjaftueshmëria e të ardhurave. Pavarësisht reformimit të skemës së pensioneve, sistemi përballet me sfida të lidhura me demografinë dhe ekonominë. Raporti i vartësisë së moshimit pothuaj u dyfishua nga 8.6% në vitin 1989 në 16.7% në vitin 2011. Në vitin 2030, ky raport do të jetë dyfishuar sërish për të arritur në nivelin 32.9%.

Të dhënat zyrtare tregojnë se rreth 30% e të moshuarve shqiptarë jetojnë në blloqe apartamentesh, ku një kufizimi rëndësishëm i lëvizshmërisë për 80% të tyre është mungesa e ashensorit. Shumica dërrmuese ose 93% e të moshuarve ka akses në banjo të përshtatshme, por vetëm 76% e kanë këtë brenda shtëpisë.

Gjendja shëndetsore e të moshuarve është problemi i dytë për nga rëndësia. Të moshuarit vuajnë më shumë se një sëmundje kronike. Sipas tyre ata nuk e përballojnë dot blerjen e ilaçeve dhe shpesh detyrohen të marrin vetëm një pjesë te ilaçeve ,dhe kryesisht ato që janë më rimbursim. Nga ana tjetër, sistemi publik i kujdesit shëndetsor është i papërgatitur për të përballuar nevojën në rritje të të moshuarve.

Referuar disa studimeve, që ka kryer Shoqata e Gerontologjisë, e ngritur posaçërisht për evidentimin e problemeve të të moshuarve, rezulton se rreth 60 përqind e të moshuarve në të gjithë vendin, vuajnë nga sëmundje kronike, ndërkohë që rreth 30 përqind deri në 40 përqind e medikamenteve, përdoret nga mosha e tretë, duke ndikuar ndjeshëm në buxhetin e shtetit. Gjëndja shëndetsore, sidomos e të moshuarve mbi 75 vjeç dhe të sëmurë, është faktor kritik përjashtimi.

Studimi “Vlerësimi i kushteve social-ekonomike , pjesëmarrjes shoqërore dhe gjendjes shëndetsore të të moshuarve në Shqipëri”, i realizuar nga Rrjeti Shqipar i Moshimit në vitin 2017, konfirmon se rreth 8% e të moshuarve nuk kanë asnjë kontakt me pjesëtarët e familjes dhe/ose miqtë – duke dëshmuar për një izolim të plotë social të kësaj kategorie të moshuarish. Shkalla e përjashtimit social është disi më e lartë te femrat (8.7%) në krahasim me meshkujt (7.7%), dhe është shumë më e lartë tek të moshuarit në moshë shumë të madhe në krahasim me ata me moshë më të re.

A do ta zgjidhë plagën demografike të shqipatrëve Plani i Moshimit? Si do të synojmë rritje me ritme të qëndrueshme të ekonomisë me "sëmundjen" e plakjes së popullsisë?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë