Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, tha se projekti që konsiston në mbështetjen financiare të 70% të kostos për vendosjen e paneleve diellore do të ndahet në tre faza, ku aplikimi do të fillojë më 1 nëntor.
“Kemi diskutuar me të gjithë ekspertët dhe sipas të gjitha të dhënave, na rezulton që 20% e konsumit mujor në faturën e çdo abonenti familjar i përket konsumit që vjen nga ngrohja e ujit.
Për këtë arsye, për të paguar më pak por edhe për të kontribuuar në klimë, kemi vendosur që ky është vetëm një hap i parë i këtij programi i cili nis me 2 mijë familjarë që do të aplikojnë për të pasur këto njësi gjeneruese elektrike përmes ngrohjes diellore”, tha ministrja Balluku gjatë një konference mbi detajet dhe hapat që do të ndiqen.
“Pasi të vlerësojmë situatën do të vazhdojmë edhe në paketa të tjera të këtij programi për të patur një target që kalon 20 mijë familjarë. Procesi do të udhëhiqet nga Agjencia e Efiçencës Energjitike.
Ky program do të luajë një rol të rëndësishëm në vetëprodhimin e energjisë elektrike por edhe në sensibilizimin e popullsisë. Në datën 1 tetor Agjencia hodhi fazën e parë që konsiston në garën që do kryhet mes subjekteve që janë të interesuar për të ofruar panelet e prodhimit të energjisë diellore për ngrohjen e ujit dhe instalimin e këtyre paneleve.”
Balluku tha se gara do të jetë e hapur deri në 18 tetor dhe do të jetë online.
“Më pas do të shortlistohet një grup i subjekteve që përmbushin kushtet teknike dhe ato financiare.
Në 1 nëntor Agjencia e Efiçencës së Energjisë do të ketë një listë të këtyre subjekteve që ofrojnë shërbimin e cila do të shpallet në faqen e saj. Kjo fazë e dytë konsiston në kërkesën e qytetarit për t’u bërë pjesë e projektit ku qeveria do të subvencionojë 70% të kostos dhe do nisin aplikimin”, shtoi ajo.
Balluku tha synimi i qeverisë është që të arrijë 10 mijë njësi gjeneruese deri në 31 mars.
Ajo shtoi se qytetari nga data 1 nëntor nëse do dojë të aplikojë do të mund të shohë online i sati është në aplikim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



