Lajme

Pandemia shkatërroi tregun shqiptar të rrushit të tavolinës, mbi 5 mijë ton mbetën pa shitur

Fermeri qan për fatin e punës së tij. Ministria thotë se po e ndjek çështjen

Ai as që nuk do ta mendojë se çfarë mund ti shkaktojë familjes së tij mosshitja e rrushit të tavolinës.

Ndër lotë që i gëlltit dhe ngashërimë të thellë që i ndjehet përtej telefonit, më lutet të mos i përmend emrin sepse ka edhe një biznes të vogël, e nëse hakmerren sepse ai ankohet për problemet prej fermeri, familja e tij do të mbeste pa bukë.

Fermeri në fjalë ka gati 15 vite që merret me frutikulturë, kryesisht me vreshtari pasi do të kthehej nga asokohe nga Italia ku ishte emigrant.

“U lodhëm në vend të huaj dhe mendjen e kisha mbrapa, sepse në atë kohë më jetonin edhe prindërit. Mendova se bujqësia ishte shpëtimi i vendit duke u nisur nga klima dhe vendosa të investoja. Dy vjet pas meje u kthye edhe vëllai dhe punojmë sëbashku”- tregon Besniku (jo emri i vërtetë).

Ai jeton dhe punon në fshatin Germenj të Kavajës, ku 90 % e popullsisë së zonës jeton me frutikulturë dhe kryesisht nga prodhimi i rrushit të tavolinës.

Fshati Germenj është në listën e 100 fshatrave ku qeveria do të investojë për të rimëkëmbur ekonominë, por sipas fermerit tejtër të zonës, Shpëtim Canit, fshati deri tani është ndër sendurinat e harruara të qeverisë, pasi nuk ka as tabelë ku i mbishkruhet emri.

Besniku fillimisht ka investuar në nektarina, duke e filluar me 5 dynym tokë të cilat mandej nuk qenë me leverdi dhe ai sëbashku me të vëllanë kanë investuar mbi 3 mln lekë në vreshtari.

Besniku llogarit mbi 500 mijë lekë shpenzime vjetore për blerje materialesh për vreshtarinë, naftën, etj, pa llogaritur hakën e punës.

Aktualisht ai ka 3,5 ha tokë të mbjellë mes vreshtarisë dhe të tjera.

Problemi i tij, si edhe shumë fermerëve të tjerë të zonës që kultivojnë rrushin e tavolinës, është se u ka mbetur stok, pa shitur.

Besniku gjykon se pandemia ndikoi fort që kjo të ndodhte, pasi u bllokua turizmi, dasmat dhe vakitë që janë tregjet më të sigurta e në këtë mënyrë rrushi i serës i pashitur i është mbivendosur rrushit të fushës dhe ka krijuar përplasje në treg dhe ka detyruar që fermerët të ulin çmimin nën kosto.

“Ne nuk mbështetemi nga shteti, ne gjithë përpjekjet maksimale i kemi bërë vetë, por ka disa situata që nuk mund të zgjidhen pa ndërhyrjen e shtetit. Përpos pandemisë, në këtë kohë që po flasim, ne po na konkuron edhe rrushi i Greqisë dhe Maqedonisë. Sigurisht që vjen më i lirë se ata kanë programe të fuqishme të mbështetjes së fermerëve”- tregon Besniku.

Ai thotë se një parcelë e ka ende pa vjelë fare dhe “na ka ndihmuar Zoti që nuk ka rënë shi sepse u ka tejkaluar koha e pjekjes dhe shiu do ti shkatërronte”.

Tek e pyes nëse nuk do të mund të shiste 200 kuintalshin e mbetur, Besniku nis ngashërimën dhe fjalët i dëgjohen me ndërpreje nga telefoni “po ne me atë mbahemi, jemi dy familje. Më fal,…”.

Edhe Shpëtim Cani thotë se shteti nuk ka lëvizur as gishtin e vogël për të ndikuar situatën.

Shpëtim Cani, fermer

Në  Spanjë tregon ai, shteti ka ndërmjetësuar me shkollat, të cilat janë detyruar ta blejnë prodhimin e mbetur.

Rrushi me plasmas

Shpëtimi thotë se edhe pse është lëvizur shumë nga çmimi i vjetshëm me mbi 30%, rrushi i tavolinës thotë ai po shitet që nga 20-40 lekë në varësi të cilësisë, por ende kuintalë të tërë rrush kanë mbetur të pashitur.

Ai vetë ka 3,5 ha tokë dhe ka mbjellë rrush të varietetit Viktoria dhe më shumë se gjysma i ka mbetur pa shitur këtë sezon.

Kërkesat e fermerëve

Një ditë më parë fermerët u organizuan në një tubim paqësor nga Sindikata e Fermerëve të  Bashkuar në zonën e Kavajës ku shpërndanë rrushin e pashitur falas tek kalimtarët.

Sipas Eduart Sharkës, kreut të Sindikatës së Fermerëve të Bashkuar, aktualisht janë 5 mijë  ton rrush tavoline që kanë mbetur stok pa u shitur.

Eduart Sharka

“Kjo është një krizë e fortë tregu duke shkatëruar raportin kërkesë-ofertë dhe dikush duhet të kujdeset për të e këtë detyrë e ka qeveria. Fermerët nuk kërkojnë që rrushin tua shesë qeveria, por ajo të krijojë kushtet që ky rrush të mos ngelet stok. Qeveria duhet të bëjë studimin e tregut dhe orientimin e fermerit se çfarë duhet të mbjellë, po ashtu për cilësinë e inputeve dhe  të cilësisë së produktit. Qeveria duhet të krijojë kushte që ky rrush të shitet”- thotë Sharka për gazetën “Si”.

Fermerët kërkojnë nga qeveria: të subvecionohen direkt për prodhimin e hedhur në treg duke u justifikuar me faturë tatimore me jo më pak se 10 lekë për njësi bazë të shitur të ngjashme me skemën e 2019-ës për prodhuesit e qumshtit, por pa burokraci aplikimi.

Ata kërkojnë gjithashtu barazim të shkallës së TVSH-së në shitje dhe blerje, vlerësim dhe kompensim financiar me çmime dysheme të tregut për produktet e humbura nga fatkeqësitë natyrore dhe stokun e produktit të shkaktuar nga ndryshime të forta në treg.

Sindikata sëbashku me fermerët kërkojnë që Ministria e Bujqësisë të çelë në mënyrë urgjente Agjencinë e Studimit të Tregjeve dhe Orientimit të Fermerëve dhe qeveria të ndërhyjë me ligj për të garantuar kushtet dhe  kryerjen e tregtisë me produktet bujqësore për të garantuar interesin e fermerëve në treg.

Edhe ligji në fuqi për bujqësinë parashikon masa për stabilizimin e trgjeve që synojnë të mbështesin bujqësinë në kohën e kushteve të paqëndrueshme të tregut. Format dhe llojet e masave sipas ligjit propozohen në Planin Kombëtar, që sipas Sharkës nuk ekziston një i tillë.

Kurse Ministria e Bujqësië thotë për gazetën “Si” se po e ndjek çështjen e cila ka ardhur si rrjedhojë e pandemisë duke turbulluar ekuilibrat e tregut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë