Mbyllja e shkollave për shkak të pandemisë së koronavirusit mund të rrisë me të paktën 10 për qind numrin e atyre që konsiderohen si nxënës analfabetë funksionalë, ose nxënës që dinë të lexojnë, por nuk e kuptojnë atë që lexojnë.
Alarmi është dhënë nga një raport i Bankës Botërore, që veç pasojave ekonomike ka hulumtuar edhe pasojat sociale të pandemisë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke iu referuar gjetjeve të institutit të PISA-s, i fundit prej të cilëve në 2018, BB thekson se edhe para pandemisë vendet e Ballkanit Perëndimor shënonin një nivel të ulët arsimimi, që kërcënohet të përkeqësohet tashmë nga pandemia.
“Mbi 78 për qind e 15-vjeçarëve në Kosovë, mbi 50 për qind e tyre në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut janë analfabetë funksionalë. Edhe në Serbi, që ka performancën më të mirë në Ballkanin Perëndimor, kjo shifër është 38 për qind”, thotë Banka Botërore.
Raporti ngre shqetësimin se numri i analfabetëve funksionalë në Shqipëri mund të shkojë deri në 63 për qind, si pasojë e pandemisë, duke kthyer shifrat në nivelin e 2012-ës dhe rendit Shqipërinë të fundit në rajon sa i takon aftësisë dhe sistemit për të organizuar mësimdhënien në distancë.
“Për Shqipërinë aftësia e të nxënit të studentëve mund të bjerë pranë niveleve të 2012, ndërsa për Kosovën në nivelin e 2015-ës”, vlerëson raporti i BB-së, duke marrë si pika referimi renditjet e vendeve përkatëse në tre raportet e institutit të PISA-s në 2012, 2015 dhe 2018.
Banka Botërore vë në dukje gjithashtu se pandemia kërcënon që të thellojë edhe pabarazinë në arsimim mes shtresave të pasura dhe shtresës së varfër dhe këshillon veçanërisht për Shqipërinë dhe Kosovën rritjen e buxhetit për arsimin.
“Ruajtja dhe shtimi i financave për edukimin mund të ndalojë humbjet e mëtejshme në aftësitë e të nxënit. Përvojat nga recesionet e së shkuara tregojnë se kur goditen buxhetet qeveritare, ashtu goditen edhe shpenzimet për nxënës. Sistemet arsimore në Ballkanin Perëndimor duhet të financohen më mirë dhe më me efikasitet, por disa vende, si Shqipëria dhe Kosova duhet të investojnë më tepër. Garancia e një buxheti të qëndrueshëm dhe të menjëhershëm është i domosdoshëm për të plotësuar kushtet minimale që ky sektor të përballet me Covid-19”, thotë raporti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




