Jeta në pandemi rreket të hyjë në hullitë e normalitetit, po të mos qe për maskat dhe orën policore. Por, deri në orën 10 të mbrëmjes, rrugët janë plot po aq sa edhe kafenetë e restorantet. Njerëzit psonisin, takohen, shkojnë në zyra, dalin shëtitje, udhëtojnë, por nuk munden të shkojë në teatër.
Teatri Kombëtar nuk i ka çelur dyert fizikë – ato të sallave të ArTurbina si bujtëse deri në mbajtjen e premtimit të qeverisë për një godinë të re – as në këtë fillim viti, duke u bërë dhjetë muaj pa shfaqje nga marsi i kaluar.
Kohë që duket se është shfrytëzuar për ta kaluar atë në një tjetër sferë; atë të realitetit virtual.
Gjatë muajve të karantinës së madhe, Teatri Kombëtar solli shfaqje livestream në faqen e Facebook-ut nga ato më të rejat si “Galaksia” tek fondi i arkivit, që erdhën si nostalgji.
Por edhe me hapjen e vendit dhe rifillimin e veprimtarive, teatrot nuk e gëzuan të njëjtin lejim si urbanët, baret apo fjala vjen fasoneritë për nga dendësia e njerëzve.
E ndërsa teatro më të vegjël si Eksperimentali apo Aleksandër Moisiu në Durrës bënë turne me shfaqje në sheshe dhe ambiente të hapura në rrethe, Teatri Kombëtar vijoi programin online.
Shtatori, që në raste normale do të shënonte çeljen e sezonit të ri artistik, solli nga ata që guxuan ta sfidonin pandeminë si Teatri Andon Zako Çajupi në Korçë, që e organizoi edicionin e “Koko Fest”, për të mos e humbur traditën dhe për t’u dhuruar publikut buzëqeshje, aq të nevojshme në këto kohë të trishtueshme. Edhe Teatri i kryeqytetit, “Metropol”, megjithë pasigurinë sollën disa shfaqje në skenën e improvizuar të tarracës së Pallatit të Kulturës.
Kiço Londo, atëkohë drejtor i Eksperimentalit, madje e nisi sezonin me shfaqje brenda sallës së ArTurbina, fillimisht për të vegjlit e më pas edhe për të rritur, duke siguruar se ishin marrë masat e dezinfektimit, distancës dhe kapacitetit, reduktuar në tridhjetë përqind.
Por dy muaj pas rifillimit, Eksperimentali u detyrua të deklarojë anulimin e shfaqjeve.
Disa përdorën amfiteatrin e Liqenit Artificial, për sa kohë moti ishte i ngrohtë dhe pa shira, për vënien në skenë të shfaqjeve teatrore, realizimin e një edicioni festivali të filmit si TIFF apo edhe amfiteatrin e Akademisë së Arteve, si festivali i filmit “DEA” apo atriumin e Muzeut Historik Kombëtar për koncerte të Teatrit të Operas dhe Baletit.
Në të njëjtën kohë, kur në Shqipëri kërkoheshin skena alternative, në mjedise të hapura, në Kosovë shfaqjet kishin nisur normalisht brenda teatrove, duke adaptuar vetëm orarin sipas orës policore.
Teatri Kombëtar i Kosovës jo vetëm ka çelur dyert për 2021-shin, por ka publikuar edhe kalendarin e shfaqjeve, ku vetëm në janar ka katër premiera, si “Kreolët e Ballkanit”, nga Enver Petrovci, “Emigrantët”, “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun” dhe “Koleksionisti i Syve”.
Dyert me kohë i kanë hapur edhe teatri “Oda” apo edhe ato të qyteteve si ai i Gjilanit që mirëpret premierën e regjisores Blerta Neziraj me veprën “Kosovo for Dummies” të dramaturgut Jeton Neziraj.
Aktivitetet e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë për muajin janar janë të gjitha online. Më 22 janar, nën titullin “Show must go on”, që tingëllon si sfidë në këto kohë pandemie, është një mbrëmje poetike me vepra të autorëve të huaj e vendas. Një ditë më pas, në livestream-in e Facebook-ut të Teatrit do të shfaqet “Opera për tre groshë”, një komedi satirike e dramaturgut Vaclav Havel me regji të Mehmet Xhelilit.
Në faqen e facebook-ut falënderohet publiku virtual, që ndryshe nga sallat e mbushura lë gjurmë ( pa duartrokitje, por me pëlqime e komente) tek numri i shikuesve, në kohë reale, ka zgjedhur të kalojë mbrëmjet me shfaqjet e Teatrit Kombëtar.
Më 24 janar, “Zonja e Bujtinës” vjen nën Nostalgjinë e Teatrit. Kjo e fundit duket se na ka kapur të gjithëve, jo për repertorin e së shkuarës me emrat e mëdhenj të skenës, por edhe për shfaqje të reja e premiera e për t’u ulur edhe njëherë në ndenjëset e sallës.
Ashtu si me disa që ankohen me simptoma kohëgjatë të Covid-19 ,ashtu edhe teatri po vuan pasoja të gjata të pandemisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.