Trend

Pandemia e kirurgjisë plastike: Si ndryshoi Covid-19 mënyrën se si ne i shohim fytyrat tona

Jane, një psikologe në Irlandë, kurrë nuk ishte shqetësuar për mënyën se si dukej por kur puna e saj u kthye totalisht online, ajo filloi të kishte probleme me vetëbesimin pasi - sipas saj, - fytyra i dukej më e rrumbullakët, buza e sipërme më e hollë dhe hunda më e madhe.

"Gjithnjë kisha menduar se jam tërheqëse dhe njerëzit gjithmonë më komplimentonin, gjë që nuk ndodhi kur fillova “t’i takoja” online”, tregon ajo.

Qershorin e kaluar, Jane vendosi të bënte mbushje të buzëve dhe ishte aq e kënaqur nga rezultati sa vendosi ta kryente dhe herë të tjera si procedurë.

Ndërsa çdo herë e më shumë u shtuan takimet online, studiuesit vunë re se po shtoheshin gjithnjë e më shumë njerëzit që u fiksuan me “të metat” e tyre.

Shadi Kourosh, dermatologe në Masaçusets tha se ka një rritje të madhe të konsultimeve për procedurat kozmetike të tilla si Botox, mbushës me injeksion, lazer dhe peeling kimik.

"Me të gjitha shqetësimet e tjera që kishim të gjithë, ishte e habitshme për mua se sa të shqetësuar ishin njerëzit për pamjen e tyre", thotë Kourosh.

Ndoshta edhe më befasues është fakti se Kourosh thotë se tani, me kthimin në normalitet, kërkesat për konsultim për procedurat kozmetike nuk po ngadalësohen.

Në një studim të botuar në Gazetën Ndërkombëtare të Dermatologjisë së Grave, Kourosh dhe kolegët e saj zbuluan se 71% e individëve të anketuar ishin të shqetësuar për t'u kthyer në normalitet dhe 3 në 10 kishin plane të investonin në pamjen e tyre.

Edhe pse këto shifra mund të mos i atribuohen vetëm Zoom, është e qartë se periudha e videokonferencave hapi një kuti të Pandorës me pasiguri fizike.

Ndërsa studimet psikologjike e kanë lidhur kohën e kaluar para pasqyrës me pasiguri të shtuar, Kourosh thotë se të shikosh veten në një ekran është ndryshe nga të shikosh veten në pasqyrë.

Kamerat mund të shtrembërojnë pamjen e njerëzve, duke i bërë sytë të duken më të vegjël dhe hundën të duket më e madhe. Plus, njerëzit nuk janë mësuar të shikojnë veten duke shikuar njerëzit e tjerë.

"Njerëzit ishin të preokupuar nga rrudhat rreth syve të tyre dhe kjo mund të ketë qenë sepse ata po shikonin veten në ekran", thotë ajo.

Mjekët që kryejnë procedura kozmetike janë mësuar me pasiguritë e njerëzve nga fotot që shohin në internet apo dhe filtrat e mediave sociale.

Por shumica e njerëzve janë mjaft të vetëdijshëm që një filtër në Snapchat nuk është jeta reale. Kourosh thotë se pasiguria për shkak të Zoom është më e fshehtë sepse njerëzit thjesht nuk ishin të vetëdijshëm se ekrani mund të shkaktojë shtrembërim. Këto lloj pasigurish prekin gjithashtu një pjesë shumë më të gjerë të shoqërisë pasi jo të gjithë kanë një llogari Snapchat, por pothuajse kushdo që ka punuar nga shtëpia gjatë pandemisë ka përdorur video konferenca.

Ndikimi mund të jetë i thellë dhe i qëndrueshëm. Ashtu si Jane, Dimplez Ijeoma, konsulentë marketingu në Los Anxhelos në të 30-at e saj, nuk kalonte shumë kohë para pasqyrës. Por sapo ajo u detyrua të shikonte veten në takimet e Zoom të lidhura me punën deri në 40 orë në javë, ajo filloi të shqetësohej për lëkurën e saj.

Ajo filloi të provonte trajtime të ndryshme për lëkurën e saj pasi vuri re rrudha që mendonte se nuk i kishte.

Ka njerëz që pasiguritë për të folur në Zoom janë në një tjetër nivel. Becky Schëarz, një 27-vjeçare nga Uashingtoni u diagnostikua me lupus, një sëmundje autoimune, në fillim të pandemisë.

Gjendja e saj i shkaktoi humbje të flokëve dhe Schwarz thotë se ilaçet bënë që fytyra e saj të fryhej dhe të dukej më e rrumbullakët. Gjatë gjithë kohës, diagnoza e saj i shkaktoi depresion dhe filloi të kujdese4j më pak për veten.

"Pamja ime po ndryshonte çdo herë e më shumë dhe sa më keq që bëhesha, aq më shumë po shikoja videon time në ekran", thotë Schwartz.

Për të mos u parë në kamera, Schwarz filloi t'u thoshte njerëzve se kamera e saj ishte thyer ose telefononte nga telefoni. Kur ajo nuk kishte një zgjedhje, vuri një dekor në mur pas saj për të hequr vëmendjen nga fytyra e saj dhe e mbajti dhomën sa më të errët të ishte e mundur.

"Zoom më ka bërë të dëshiroj të jem e padukshme", thotë Schwarz.

I shqetësuar nga pamja e tij në takimet e Zoom, Chad Teixeira, një sipërmarrës 25-vjeçar nga Londra, rezervoi kirurgji plastike në Turqi. Operacioni 10-orësh, çoi në një humbje peshe gati 90 kg. Por Teixeira gjithashtu humbi një sasi të madhe gjaku gjatë operacionit dhe atij i është dashur të bëjë dy transfuzione gjaku që atëherë.

Ndërsa Teixeira thotë se ndihet më i sigurt në thirrjet me kolegët dhe klientët dhe shëndeti i tij mendor është përmirësuar për shkak të humbjes së peshës, ai thotë se do t'i bënte gjërat ndryshe nëse do të kishte rastin.

"Unë nuk mendoj se do të kisha bërë diçka kaq drastike nëse nuk do ta shikoja veten gjatë gjithë kohës", thotë ai. "Zoom më shtyu të rrezikoj jetën time për trupin perfekt".

Burimi: The Guardian. Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë