Nga Gazeta “Si” – Panairi ZAN’ART “Artizanati Shqiptar nga Tradita në modernitet”, do të sjellë nesër 35 ekspozitorë të artizanatit shqiptar të cilët do të demonstrojnë produkte autentike si: qeleshja shqiptare; çiftelia në miniaturë; kostumet kombëtare; suvenire dhe veshje me motive shqiptare; qëndisjet tradicionale; punimet në dru dhe qelq; poçeria e filigrani; maska veneciane dhe shumë produkte të tjera unike që mbartin traditën shqiptare.
Panairit do t’i bashkohen artizanët shqiptarë, bashkitë e qyteteve të ndryshme, institucionet kulturore, bizneset artizane, tregtarët e produkteve të artizanatit, partnerët dhe mbështetësit e këtij sektori, si dhe institucionet mbështetëse, si dhomat e tregtisë, ambasadat dhe organizatat zhvillimore.
Workshop-i i cili është pjesë e panairit sjell mundësi për të mësuar më shumë rreth kulturës dhe traditave shqiptare. Për këtë arsye, do të zhvillohen 11 workshop-e nga mjeshtrat e artizanatit ku do të prezantojnë teknikat tradicionale të punimeve artizanale për të nxitur kreativitetin dhe vlerësimin e artizanatit.

Aktiviteti ka për qëllim jo vetëm promovimin, por ndërveprimin me target-grupe të interesuara për produktet e tyre duke menduar zhvillimin e këtij zanati. Përmes takimeve dhe workshope-ve, ekspozitorët e ZAN’ART do të kenë mundësinë të prezantojnë produktet dhe bizneset e tyre përballë një audience të përzgjedhur nga fusha si hoteleri-turizëm, agroturizëm dhe target-grupe të interesuara për sektorin e artizanatit, duke u mundësuar zgjerimin e tregjeve.
Nga ana tjetër organizimi i tryezave të diskutimit me aktorë të sektorit dhe institucioneve shtetërore do të adresojë sfidat e artizanatit në Shqipëri dhe planet strategjike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.