Libra

Panairi i Librit /  Nga kolana e Kadaresë e Petro Markos tek letërsia spanjolle dhe aziatike. Botuesit: Titujt e rinj që do ekspozohen

Nga Gazeta Si - Nga data 15 deri më 19 nëntor do të mbahet Panairi i 26-të i Librit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku prej vitesh tashmë është kthyer në një pasqyrë ku botuesit shohin se çfarë kanë bërë përgjatë një viti e ku lexuesit e rregullt e presin me padurim për të blerë titujt e rinj.

Nobelistë e autorë që kanë bërë historinë e letërsisë, autorë të traditës shqiptare dhe të rinj, prozë e poezi të përkthyera nga gjuhë e kultura të tjera do të ofrojnë nga stenda në stendë, qindra botë e jetë përmes faqeve të librave. 

Ajo që botuesit pohojnë njëzëri është se panairi është një ngjarje e shumëpritur, jo vetëm për ta, por edhe për autorët dhe lexuesit, të cilët kanë mundësinë e bashkëkomunikimit.

“Panairi na jep mundësinë që të jemi në kontakt me lexuesit, të marrim, madje, dhe sugjerime prej tij. Albas vjen me mbi 50 tituj të rinj, të gjithë tituj të rëndësishëm që i përkasin zhanreve të ndryshme. Në stendën tonë do të ketë disa takime me autorë e përkthyes; do të prezantojmë para fëmijëve Abetaren Mbarëkombëtare digjitale; që është një risi në këtë drejtim. Pritshmëritë tona janë të mëdha pasi kemi investuar mjaft profesionalisht dhe materialisht. Pa tituj të rinj një stendë është e varfër dhe lexuesit e kuptojnë menjëherë këtë”, shprehet botuesja e ALBAS, Rita Petro për Gazetasi.al

Për botuesen Arlinda Dudaj, panairi është një mënyrë e mirë për të shpalosur punën e tyre.

“Si çdo vit sjellim shumë botime të reja. Do të kemi një sërë autorësh që kemi filluar t’i promovojmë që tani. Pritshmëria si çdo vit është që të kemi sa më shumë lexues. Numërohen mbi 10 libra të rinj që do t’i ekspozojmë”, shprehet botuesja Dudaj për Gazetasi.al.

Ajo thotë se Shtëpia Botuese Dudaj vjen me një sërë titujsh të rinj.

“Duke nisur me librin e ri të Daria Bignardit ‘Sot e marr pushim’. Më datën 10 nëntor vjen në Shqipëri autorja italiane ‘Daria Bignardi’ për të promovuar librin e saj. I shumëprituri ‘Violeta’ i Isabell Allendes më në fund sheh dritën e botimit në shqip, një libër që të mbërthen nga faqja e parë tek e fundit. Një tjetër libër interesant është ‘Gjyshja, Zoti dhe Britni takim ne dhomën e ndenjjes’ nga Luna Al Mousli, një libër që rrëfen besimin, mallin, rritjen, gëzimin dhe dhimbjen për atdheun e rrënuar. Po ashtu do të ekspozohet ‘Vendet e mia’, e cila është një histori personale e Europës nga Timothy Garthon Ash. Një libër i ri vjen edhe nga shkrimtarja shqiptare, Brunilda Zllami, ‘Pas mesnate’”, thotë ndër të tjera Arlinda Dudaj.

Ndërkohë, Enxhi Hudhri, drejtore e Shtëpisë Botuese Onufri thotë se “Onufri” në çdo panair ka synim kryesor të kthejë vëmendjen e lexuesit te letërsia shqipe. Këtë vit, Hudhri veçon krijimtarinë e Kadaresë, të përmbledhur në 7 vëllime. Janë 75 vepra të Kadaresë të përfshira në këtë kolanë, ku janë vendosur romanet, tregimet, poezitë, eseistika dhe intervista të ndryshme.

“Shtëpia botuese ‘Onufri’ këtë vit, ashtu sikurse vitet e tjera, bazuar në misionin për të sjellë letërsinë më të mirë shqipe, atë bashkëkohoren sidomos, pret që vëmendja e lexuesit të orientohet pikërisht drejt saj. Aktivitetet në stendë, gazeta ‘ExLibris’ dhe ndërmarrjet e tjera të Onufrit në kuadër të panairit dhe politikave të saj editoriale synojnë pikërisht këtë, kthimin e vëmendjes te letërsia shqipe. Këtë vit, Onufri paraqet letërsinë më të zgjedhur shqipe, e cila kulmon me botimin e veprës së plotë të Kadaresë në 7 vëllime, vepër referenciale për gjithë krijimtarinë e tij”, shprehet Enxhi Hudhri, drejtore e Shtëpisë Botuese Onufri.

Përpos letërsisë shqipe, Shtëpia Botuese “Onufri” vjen në këtë panair me një trend të mirë botimesh edhe nga letërsia e huaj.

“Letërsia e huaj, po ashtu, është pjesë e rëndësishme e katalogjeve të Onufrit. Sivjet, nga letërsia aziatike janë zërat e rinj të disa vajzave e grave si Mieko Kawakami me ‘Gjinj dhe vezë’ dhe ‘Qiell’, Bora Chung me ‘Lepurushi i mallkuar’ apo Yoko Ogawa me ‘Policia e kujtesës’. Po ashtu, vëmendja jonë ka qenë e mbetet e orientuar edhe te letërsia spanjolle e hispanike. Pas autorëve si Marquez, Mendoza, Schëeblin e të tjerë, sjellim sivjet Mariana Enriquez me ‘Rreziqet e tymosjes në shtrat’, vëllim me tregime. Të gjithë librat e mësipërm kanë fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare dhe tre shkrimtaret aziatike, ishin pjesë e listës së ngushtë të Booker Prize International”, thotë ndër të tjera Hudhri për Gazetasi.al.

Një vit të bollshëm kanë pasur edhe Botimet ALBAS, duke sjellë jo vetëm letërsi shqipe, por edhe autorë të huaj

“Këtë vit unë do të quaja ngjarje daljen e vëllimit të dytë të Don Kishotit përkthyer nga Bajram Karabolli prej origjinalit. Një punë vërtet voluminoze e, njëkohësisht, elegante për ta sjellë në shqipen e sotme. Shumëkush nuk do të guxonte t’i hynte këtij përkthimi. Po kështu, duke qenë se ne si Albas kemi marrë ekskluzivitetin e veprave të Petro Markos, do ta nisim kolanën me një nga romanet më të mirë të tij, ‘Qyteti i fundit’. Shumë i rëndësishëm për ne është botimi i romanit “Daullja prej llamarine” e Gunter Grass, një prej shkrimtarëve mjaft të rëndësishëm gjermanë, fitues i çmimit Nobel me përkthim të Ana Koves. Një botim mjaft të rëndësishëm në fushën e psikanalizës do të quaja botimin e librit ‘Metodë e rrezikshme’ që flet për historinë dhe marrëdhënien e Jung, Freud, dhe Sabina Spielrein, përkthyer nga Sofiana Filipi”, shprehet drejtuesja e ALBAS.

Për Rita Petron, panairi shënjon jetën kulturore të vendit në nëntor, duke tërhequr drejt stendave të librave, jo vetëm të rriturit, por edhe fëmijët.

“Vazhdon nga ne si Albas plotësimi i veprave të klasikut për fëmijë, Bedri Dedja; të Adelina Mamaqit; Gjithashtu, do të sjellim disa libra të Montesorit për bebe, serinë e famshme në botë për fëmijë Izadora Moon, etj. Për kolanën tashmë shumë të vlerësuar ‘Më quajnë …’ kemi përgatitur librat për Vaçe Zelën e Bekim Fehmiun. Edhe autorët shqiptarë Gazmend Krasniqi, Dashnor Kokonozi, Suad Harrilla, Luan Rama, Shaban Murati etj., sjellin në këtë panair risi në veprat e tyre”, thotë Petro për Gazetën “Si”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë