Libra

Panairi i Librit/ Kënaqësia e një autografi, lexuesit ‘blejnë’ autorin e pranishëm në stendë

Nga Gazeta Si - Panairi i Librit, një traditë prej më shumë se dy dekadash në Tiranë, prej dy ditësh ka hapur dyert në Pallatin e Kongreseve. Ndonëse cilësohet si një festë e librit, ata që rendin më së shumti nga stenda në stendë janë grupe nxënësish nga shkollat dhe ndonjë lexues i përkorë nga brezi i moshës së mesme apo edhe pensionistë.

Teksa rendin drejt titujve të rinj, nxënësit e shkollave thonë se të parapëlqyerit e tyre mbeten librat artistikë të përkthyer në shqip.

“Lexoj më shumë letërsi të përkthyer në shqip. Mendoj që është më moderne”, i tha Gazetasi.al Stela një nxënëse e klasës së tetë, e cila po vizitonte stendat e Panairit së bashku me shoqen e saj.

Ajo shton se nga shkrimtarët shqiptarë i pëlqen Ismail Kadare.

“Më pëlqen shumë Ismail Kadare. Nga poetët lexoj më shumë Poradecin, ndërsa autorët e rinj shqiptarë nuk i njoh”.

Viti 2023 shënon edicionin e 26-të të Panairit të Librit, ku për një periudhë pesëditore, 95 botues pjesëmarrës ekspozojnë në stendat e tyre tituj autorësh kombëtarë dhe ndërkombëtarë për lexuesit shqiptarë.

“Letërsi të huaj sigurisht. Më pëlqen pak horrori dhe fantazitë”, thotë një nxënës i klasës së shtatë për Gazetasi.al, i cili sapo ka blerë librin “Ditari i Gregut”.

Tek e pyesim për autorët shqiptarë, ai përgjigjet prerë: “Përveç Kadaresë dhe Petro Markos, nuk i njoh të tjerët. Kadare është i vështirë për mua që tani”.

Mes titujve të larmishëm botuesit shprehen se interesi i lexuesit mbetet te letërsia e huaj.

“Ne kemi autorë shqiptarë, por për mendimin tim janë shumë të paktë në krahasim me prodhimet letrare nga jashtë sepse flasim për gjithë botën. Natyrisht mbizotërojnë autorët e përkthyer për shumë arsye, bota ka prodhimtari shumë të lartë dhe ka edhe shkrimtarë shumë të mirë. Njeriu është edhe një qenie që do të eksplorojë dhe nëpërmjet letërsisë së huaj eksploron gjuhë dhe kultura të tjera”, shprehet botuesja Arlinda Dudaj për Gazetasi.al.

Ajo është e keqardhur që shitjet janë gjithmonë në nivele shumë të ulëta, pasi sipas Dudajt lexohet pak.

“Ka interes vetëm nga lexues të rregullt që interesohen për titujt e rinj. Janë shkollat dhe nxënësit e shkollave që me thënë të vërtetën e mbajnë gjallë panairin”, thotë Dudaj, ndërsa shton se “gjatë këtij panairi vë re që nuk ka shumë ngjarje kulturore promovuese. Lë për të dëshiruar fakti i promovimit. Secili botues bën punën e vet, por nuk ka shumë të ftuar nga jashtë”.

Nga ana tjetër, mosha e mesme tregojnë interes edhe për letërsinë shqipe.

“Kam ardhur të blej librin e Brunilda Zllamit. Më pëlqen shumë si shkruan”, thotë Entela 52 vjeçe, e cila shfletonte botimet e reja në njërën prej stendave të panairit.

Ajo që më shumti i mëshojnë fort botuesit se përveç librave të huaj të përkthyer në shqip, shiten ato libra që autorët punojnë shumë për t’i promovuar apo janë të pranishëm në stenda.

“Ne kemi ardhur me shumë tituj të rinj nga letërsia shqipe. Lexuesit blejnë më shumë kur autorët janë të pranishëm në stendë, pasi lexuesi ka kënaqësinë e një autografi, p.sh kur Namik Dokle, Fatos Kongoli etj., janë këtu, librat e tyre shiten shumë”, i thotë Gazetasi.al botuesja Irena Toçi, drejtore e Botimeve Toena. Ajo shton se “në përgjithësi lexuesit janë fokusuar drejt librave artistikë apo drejt librave didaktikë për fëmijë”.

“Shitja varet edhe se sa autori punon me promovimin”, thotë ndër të tjera botuesja Dudaj.

Por një shqetësim që ngrenë libradashësit është ai i kostos së librave, që duket se i ka prekur së fundmi lexuesit.

“Jam lexues i rregullt. Nuk ka si libri. Por ç’ti bëjmë që janë edhe shtrenjtë, duhet menduar edhe kjo”, i tha Gazetasi.al një zotëri rreth të 60-ave, i cili po mundohej të pikaste tituj që nuk i ka lexuar më parë.

Të njëjtin shqetësim ndan edhe një zonjë, e cila ka marrë edhe dy fëmijët vete për të parë nga afër titujt e rinj.

“Duket se ulja 20 për qind nuk po zbatohet. Ne vijmë t'i blejmë më lirë në panair. Jo për gjë, por nuk kushtojnë pak”, duke nënkuptuar se edhe çmimi i penalizon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë