Libra

Panairi i Lajpcigut/ Përkthyesi gjerman: Kadare parashikoi tensionet e sotme botërore

Nga Gazeta “SI”– Në Panairin Ndërkombëtar të  Librit në Lajpcig një tryezë diskutimi-homazh iu kushtua shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare.

Në këtë tryezë, ku i pranishëm ishte përkthyesi i Kadaresë në gjermanisht, Joachim Rohm, dhe ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani, Adia Sakiqi, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit , Alda Bardhyli dhe poetja Mimoza Ahmeti, u diskutua për mënyrën se si veprat e tij trajtojnë temat e pushtetit, historisë dhe lirisë, si dhe rolin e tij si një urë mes Lindjes dhe Perëndimit.

Përkthyesi Joachim Rohm u shpreh që Kadare ka parashikuar tensionet e sotme botërore.

Ndër të tjera, ai vlerësoi veprën “Kur sunduesit grinden” (A Dictator Calls) e cila është botuar në gjermanisht nga shtëpia e njohur botuese “S. Fischer Verlage”, dhe tanimë pjesë e librarisë së njohur “Georg-Büchner-Buchhandlung”.

“Kjo vepër e shkrimtarit Ismail Kadare është pasqyra më e mirë e historisë, arkivës së saj dhe raportit mes politikës dhe artit në çdo kohë. Kadare, si një nga zërat më të fuqishëm të letërsisë moderne, e ka trajtuar shpesh temën e tiranisë dhe artit, por me këtë vepër të re, ai na sjell një tjetër rrëfim brilant”.

Ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani, Adia Sakiqi, e vlerësoi figurën e Kadaresë dhe u shpreh se kjo vepër nuk është thjesht një libër mbi një telefonatë, por një reflektim i thellë mbi pushtetin, artin dhe frikën.

“Është një vepër që na tregon se edhe në errësirën më të madhe, fjala dhe mendimi mbeten forcat më të mëdha të rezistencës”, shprehet Adia Sakiqi, ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani.

Në tryezën me temë “Letërsia dhe gjeopolitika” gjithashtu u vu në pah sesi mesazhet e tij mbeten aktuale dhe të rëndësishme për botën e sotme.

Vepra e Kadaresë, e përkthyer në shumë gjuhë dhe e studiuar në universitete të ndryshme të botës, ka ndriçuar aspekte të historisë, politikës dhe shpirtit njerëzor me një stil të pakrahasueshëm.

Pse është ky libër i rëndësishëm sot?

“Historia e Pasternakut dhe Stalin-it nuk është thjesht një kujtim nga e kaluara. Edhe sot, në shumë vende të botës, fjala e lirë sfidohet, letërsia përballet me censurë, dhe shkrimtarët janë ende të rrezikuar për atë që shkruajnë. Ky libër na fton të reflektojmë mbi këto sfida dhe mbi përgjegjësinë që kemi si lexues, si krijues dhe si qytetarë të një bote që ende lufton me hijet e së kaluarës”, u shpreh Alda Bardhyli.

Flogerta Krypi

Shkrimtarë të tjerë që përfaqësojnë Shqipërinë në këtë panair janë Flogerta Krypi e përkthyer së fundmi në gjermanisht me romanin e saj “28 rrahje të përkryera matematikore” dhe Elvin Nuri të cilët përgjatë ditëve të panairit janë të ftuar në aktivitete dedikuar letërsisë shqipe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë