Libra

Panairi i Lajpcigut/ Ag Apolloni nderohet me çmim, libri për fëmijë i Rovena Rrozhanit tërheq vëmendjen e gjermanëve

Nga Gazeta Si – Shkrimtari nga Kosova, Ag Apolloni, ka rrëmbyer çmimin “Special Mention” me librin “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur” në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për Letërsi nga Bashkimi Europian, të mbajtur në panairin e librit në Lajpcig të Gjermanisë.

Lajmi është bërë i ditur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Ndërkohë, Çmimin e Bashkimit Europian për Letërsi e fitoi Martina Vidaić nga Kroacia.

Ndërsa në mesin e 13 autorëve të nominuar për çmimin “Special Mention”, këtë çmim e kanë fituar veç Kosovës, edhe Qiproja, Estonia, Finlanda dhe Franca.

Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsi (EUPL) është një iniciativë për të njohur shkrimtarët më të mirë të letërsisë në zhvillim në Europë.

“Çmimi synon të vërë në qendër të vëmendjes krijimtarinë dhe pasurinë e larmishme të letërsisë bashkëkohore europiane në fushën e letërsisë artistike, të promovojë qarkullimin e letërsisë brenda Europës dhe të inkurajojë një interes më të madh për veprat letrare. Fituesit e përzgjedhur promovohen me synimin për të zgjeruar audiencën e lexuesve përtej kufijve kombëtarë dhe gjuhësorë”, shkruan Qendra Kombëtare të Librit dhe Leximit rreth Çmimit të Bashkimit Europian për Letërsi, që u dha gjatë panairit të Lajpcigut.

Panairi i Lajpcigut në Gjermani, i cili u rikthye pas tri vitesh mungesë për shkak të pandemisë, u ndoq nga mijëra vizitorë.

Pjesë e këtij panairi ishte edhe Kosova e Shqipëria me stendat e tyre. Shqipëria u bë pjesë e këtij panairi falë bashkëpunimit me rrjetin Traduki.

“Openbook” ishte aktiviteti i parë i një cikli bisedash mbi librin, që u mbajtën përgjatë ditëve të Panairit nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, me autorët Loer Kume, Andreas Dushi, Flogerta Krypi dhe Ervin Nezha.

Të pranishëm ishin edhe autorët Lindita Arapi, Arian Leka, Ag Apolloni, Stefan Çapaliku, Ana Kove etj, të cilët sollën refleksionet e tyre përballë audiencës.

Një libër shqip që tërhoqi vëmendjen në panair ishte libri për fëmijë “Fani në kërkim të dritës” i shkrimtares Rovena Rrozhani ekspozuar në stendën e Shqipërisë.

Libri për fëmijë u zgjodh nga një mësuese vullnetare në një shkollë fillore gjermane, pasi vizitoi stendën e Shqipërisë.

Në një video të postuar në faqen zyrtare të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, ajo tha se kujdesej në shkollë për një nxënës shqiptar që nuk i pëlqen librat në gjermanisht dhe prandaj ajo do t’i tregonte librin në shqip, duke falënderuar për mundësinë që iu dha.

“Fani në kërkim të dritës”, botuar nga “Mediaprint” është fitues i Fondit të Letërsisë për Fëmijë nga QKLL, finalist i Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2020.

Të pranishëm në aktivitetet e mbajtura përgjatë ditëve të panairit ishin edhe ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, Artur Kuko dhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

Shqipëria u bë pjesë e panairit të Lajpcigut në vitin 2015.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë