Pas emërimit zyrtar të Sandër Lleshit si zëvendësministër i Brendshëm vjen edhe reagimi i parë nga radhët e Partisë Demokratike.
Nënkryetari Edi Paloka, në një dalje për mediat nga selia blu u shpreh se Parlamenti sapo i hapi rrugë emërimit të një ushtari të Kryeministrit Rama në krye të Ministrisë së Brendshme.
Sipas Palokës, Sandër Lleshi nuk mund të luftojë dot krimin, pasi ai është pjesë e paktit të Ramës, të cilin e ka lidhur me bandat për të blerë zgjedhjet.
“Parlamenti i hapi sot rrugën drejtimit të Ministrisë së Brendshme nga një tjetër ushtar i Edi Ramës, fundi i të cilit do të jetë i njëjtë, shërbëtor i një kryeministri peng të krimit të organizuar.
Sandër Lleshaj nuk ka për ta luftuar dot krimin, sepse pushteti politik i shefit të tij varet nga blerja e votës nëpërmjet bandave dhe krimit të organizuar.
Sandër Lleshaj është produkt i një qeverie ilegjitime, që qëndron në pushtet me të paktën 15 mandate të blera”, tha ndër të tjera deputeti demokrat.
“Për sa kohë Vangjush Dako dhe çdo ministër, deputet, kryebashkiak apo drejtues i Partisë Socialiste, pjesë e dosjes 339, apo e ndonjë dosje tjetër nën hetim për krimin e blerjes së votës, do të jenë jashtë burgut, do të thotë se Sandër Lleshaj është pjesë e paktit të Edi Ramës me krimin që blen votat”, u shpreh Paloka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.