Politike

Palmer, Përfaqësues i Posaçëm për Ballkanin, çfarë ndryshon për shqiptarët?

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi emërimin e Matthew Palmer si Përfaqësues të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor. Krahas detyrës së re si i dërguar special i Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo në rajonin tonë, Palmer do të vazhdojë që të mbajë edhe pozicionin e zv.ndihmëssekretarit në Zyrën për Çështjet e Europës dhe Euroazisë.

Kjo zyrë mbulon edhe Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu Shqipërinë, ndaj ngrihen disa pyetje se përse emëroi Pompeo një përfaqësues të posaçëm për rajonin tonë dhe mbi të gjitha çfarë do të ndryshojë ky emërim në diplomacinë amerikane për Ballkanin?

Praktika e emërimit të përfaqësuesve të posaçëm nuk është e re në Departamentin Amerikan të Shtetit. Uashingtoni aktualisht ka disa të dërguar dhe këshilltarë të posaçëm për çështje specifike në botë, si për Afganistanin, Sirinë, apo Korenë e Veriut. E përbashkëta është se që të gjithë janë në rajone në konfikt, ose për shtete që SHBA i konsideron “rrezik për interesat e saj”.

Përfaqësuesi i fundit i posaçëm në rajonin tonë ishte i ndjeri Richard Holbrook, por ndryshe nga Palmer, që është për të gjithë Ballkanin Perëndimor, ishte vetëm për Kosovën. Para Holbrook Uashingtoni kishte dërguar përfaqësues të posaçëm për Bosnjen. Në të dyja rastet emërimi kishte ndodhur në kushtet e një lufte të armatosur në terren.

Matthew Palmer dhe Ramush Haradinaj. Gazeta Si, 31 gusht 2019

Konflikt në Ballkanin Perëndimor nuk ka, e po ashtu vështirë se ndonjë prej gjashtë vendeve mund të cilësohet “armiqësor dhe rrezik për interesat e SHBA”. Sfida e përbashkët e të gjitha vendeve mbetet integrimi i BE. Por, për çfarë i duhet Mike Pompeos një përfaqësues i posaçëm për rajonin tonë?

Nën presidencën e Donald Trump vëmendja e diplomacisë amerikane është shkëputur disi nga Europa Jug-lindore. Ajo është përqëndruar më fort në Azinë e Largët dhe Lindjen e Mesme. Emërimi i Matthew Palmer mund ta ndryshojë këtë. Përgjithësisht, përfaqësuesit e posaçëm raportojnë drejtpërdrejtë tek Sekretari i Shtetit. Kjo do të thotë se shqetësimet e caktuara të diplomacisë amerikane për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor pritet të adresohen drejtpërdrejtë tek Mike Pompeo dhe jo të humbasin nëpër burokracitë e zyrave të shumta të DASH.

Çfarë ndryshon për Shqipërinë dhe Kosovën?

Kryetema me të cilën do të përballet Matthew Palmer, që në CV-në e tij ka serbishten dhe greqishten si gjuhë që i zotëron mirë, pritet të jetë dialogu Kosovë-Serbi, por pa lënë menjanë interesat amerikane në katër vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Sa i takon Shqipërisë, aktualisht investimi më i madh me burime njerëzore dhe financiar i SHBA është reforma në drejtësi. Palmer e ka bërë të qartë këtë në vizitën e fundit që zhvilloi në muajin prill në Tiranë. Ai “shpërfilli” krizën politike dhe përforcoi mbështetjen amerikane për reformën në drejtësi.

Zyrtari amerikan kërkoi nga opozita që t’u rikthehet institucioneve, duke filluar që me pjesëmarrjen në zgjedhjet e 30 qershorit. Opozita nuk u fut, duke përdorur si argument edhe dekretin e Presidentit Ilir Meta që anulonte këtë datë si ditë zgjedhjes.

Por, Palmer shpërfilli edhe dekretin e Metës, ai mbështeti zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor, ndërsa përcaktimin e kushtetueshmërisë së procesit tha se atë duhet të bëjë Gjykata Kushtetuese, kur të ngrihet.

Kjo deklarata shkaktoi reagimin e Presidentit Ilir Meta, që përmes një postimi në rrjetet sociale i drejtoi disa pyetje. Meta nuk e përmendi emrin e tij, por dukshëm i referohej Palmerit si të njëanshëm dhe mbështetës të Ramës.

Nisur nga të gjitha këto zhvillime, nuk pritet që diplomacia amerikane të pësojë një ndryshim drastik sa i takon Shqipërisë. Ndryshimi i vetëm që mund të mbërrijë është që me Matthew Palmer si përfaqësues të posaçëm të përforcohet mbështetja për reformën në drejtësi.

Sa i takon Kosovës, zëra nga administrata e Donald Trump nuk kanë përjashtuar mundësinë e rishikimit të kufijeve. Ai që e ndezi këtë temë ishte këshilltari për sigurinë i Presidentit amerikan, John Bolton.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Palmer. “Është e mundur që marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës për njohjen reciproke të përfshijë dhe korrigjimin e kufijve. Ne nuk angazhohemi për këtë, por nuk mund ta përjashtojmë një gjë të tillë nga ujdia mes dy vendeve”, deklaronte ai nga Kroacia në mars të këtij viti.

Por, kundër kësaj ideje është shprehur në mënyrë kategorike Gjermania, ndaj emërimi i Palmer pritet që të shtojë dozat e rivalitetit diplomatik me Berlinin në Ballkanin Perëndimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë