Politike

Pakti për të mos hyrë në zgjedhje i “mazhorancës” në opozitë

Partia Demokratike hyri në marrëveshje të veçanta me aleatët, që firmosën njëri pas tjetrit “Platformën e Bashkëpunimit”, kryefjalë e së cilës është refuzimi për të hyrë në zgjedhje përsa kohë Edi Rama është Kryeministër. Pakti përmban dhjetë pika.

Pika e parë është zotimi për krijimin e një koalicioni të bashkuara opozitar. Pika e dytë e paktit është këmbëngulja për të mos u regjistruar në zgjedhje pa u plotësuar më parë kushtet. Kushti i shqiptuar më fort nga Lulzim Basha dhe drejtuesit e tjerë opozitarë për zgjedhje të lira dhe të ndershme është reflektuar në pikën e tretë; ai është largimi i Edi Ramës dhe formimi i një qeverie tranzitore që do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Rendi i përcaktuar ishte sipas "besnikërisë" së aleatëve ndaj PD-së. I pari që nënshkroi ishte kreu i republikanëve, Fatmir Mediu, që deklaratën për mediat e nisi me një shprehje të Benjamin Frenklin.

Fatmir Mediu dhe PR nenshkruajne paktin me Lulzim Bashen

“Thoshte se kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë! Kjo marrëveshje sot është një detyrë qytetare për të penguar zgjedhje farsë, shkatërrimin e opozitarizmit dhe institucioneve kushtetuese të këtij vendi. Kemi një raport të ri politik dhe elektoral”, deklaroi Fatmir Mediu.

Pas Mediut, përballë Bashës u vendos Agron Duka, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste. Ai e lexon platformën një kontratë të shkruar për qëndrimet e mbajtura publikisht.

https://www.facebook.com/AgronDukaFaqjaZyrtare/posts/2502980536402164

“Jemi të vendosur në rrugën e zgjedhjeve të ndershme dhe asnjëri nga ne nuk do të cedojë në kurriz të kësaj çështjeje themelore”, u shpreh kreu i PAA.

Në të njëjtën linjë qëndroi edhe Vangjel Dule.

“Kemi një artikulim të qartë të forcave opozitare ndaj Qeverisë Rama me një agjendë të caktuar që shkojnë përtej interesave të ngushta partiake dhe cekin thelbin për shtetin e së drejtës”, tha kreu i PBDNJ.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/328549521192922/

Kreu i demokristianëve, Nard Ndoka foli me afate dhe tërthorazi komentoi edhe partinë e re të Astrit Patozit, por edhe partitë e vjetra, jo në koalicion me Ramën, por as në opozitë me Bashën.

“30 qershori është një moment i rëndësishëm për politikën shqiptare për faktin se ose do të triumfojnë vlerat europiane të demokracisë për të kuptuar edhe kjo mazhorancë që rregullat e lojës vendosen nga dy palë. PD ka ruajtur mozaikun e vlerave të së djathtës, jo si kundërshtarët tanë politikë. Edi Rama sot ndodhet i vetmuar, pavarësisht se ka thirrur disa parti, që s’i ka përjashtuar akoma, i ka thirrur në koalicion, sot u thotë që do të konkurrojë me ju”, tha Ndoka.

Shigjetime ndaj “opozitës së re” pati edhe kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi. Ai lë derën hapur për këdo që kërkon t’i bashkangjitet aksionit opozitar.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/2278923575759549/

“Thelbi i marrëveshjes është beteja që i kemi shpallur Rilindjes dhe zotit Rama. Kushdo që merr pjesë në koalicionin opozitar është i mirëpritur. Uroj që çdo koleg i ri që të futet në politikë, në radhë të parë të bëhet opozitar. Çdokush tjetër që futet për t’u bërë fasadë e qeverisë nuk na bën përshtypje. Beteja jonë e madhe shikon një perspektivë shumë të gjatë politike”, deklaroi Shehi.

Shpëtim Idrizi nga PDIU, pas firmosjes së marrëveshjes me PD-në e cilësoi paktin një reagim ndaj situatës në të cilën po rreshket vendi, që sipas tij, po shkon drejt asgjësimit të pluralizimit politik. Zgjidhja ekziston, mendon ai, por ajo kalon nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

“Në kushtet e kapjes së shtetit, ekonomisë nga oligarkët, gjyqësorit dhe prokurorisë, në kohën që kërkojmë zgjedhje të lira dhe të barabarta, po shohim që kjo mazhorancë po kërkon që jo vetëm të emërojë opozitën, por Parlamentin e ka kthyer në teatër kukullash dhe Kryeministri duket si drejtori i këtij teatri. Nuk mund të përsërisim prap Ramiz Alinë e vitit 1991, që u fut me Partinë e Punës, bashkimet profesionale, me rininë, gruan dhe veteranët. Kjo nuk mund të funksionojë”, u shpreh Idrizi.

Pas Idrizit përballë Bashës u ul grupi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, që kryesohej nga Monika Kryemadhi. Kryetarja e LSI-së shoqërohej në këtë takim nga Petrit Vasili, Luan Rama, Endrit Braimllari, Erisa Xhixho dhe Kejdi Mehmetaj. Përzgjedhja duket se nuk ka qenë rastësore, por e menduar që përballë ekipit vetëm me burra të Lulzim Bashës, LSI të ulej me një përfaqësi të barabartë në raportin burra-gra.

Kryemadhi e cilësoi dokumentin plan dhe strategji konkrete që finalizon aksionin 1-vjeçar të mirëorganizuar të opozitës. Ajo mohoi se ka një ndryshim në radhët e LSI-së për të hyrë në zgjedhje edhe me Edi Ramën Kryeministër, nisur nga një deklaratë e mëhershme e ish-deputetit, Përparim Spahiu.

“Nuk ka asnjë tërheqje! Nuk po flasim për Edi Ramën si individ, po flasim për Edi Ramën si fenomen, që është telekomanda e krimit të organizuar shqiptar, që e ka kthyer Shqipërinë në kështjellën mbrojtëse të grupeve kriminale”, deklaroi kryetarja e LSI-së.

Në përfundim të takimeve me Lulzim Bashën, një pjesë e aleatëve të tij u takuan me ambasadorin e OSBE-së, Bernd Borschard, ndërsa vetë kreu i PD-së doli para mediave. Ai tha se në vazhdimësi të tjera parti do t’i bashkohen marrëveshjes dhe se opozita është e hapur për shoqërinë civile dhe grupet e interesit që t’i bashkohen kësaj nisme.

“Për t’i dhënë Shqipërisë të ardhmen europiane që meriton. Kjo fillon duke i dhënë fund krimit elektoral, zgjedhjeve false, angazhimi i parë i koalicionit opozitar që është mazhoranca e re politike, morale dhe numerike e Shqipërisë është që të kthejë vendimarrjen në duart e shqiptarëve”, u shpreh kreu i PD-së.

Basha paralajmëroi mosnjohje të zgjedhjeve përsa kohë ato organizohen pa u plotësuar kushtet e opozitës.

“Kurrë më nuk do të pranojmë zgjedhje që diktohen nga krimi që prodhon Parlament fals, kukull të interesave kriminale të oligarkisë, qeveri false dhe vegël e interesave kriminale të oligarkisë. Do të angazhohemi përmes aksionit tonë që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme”, shtoi Basha.

Opozita angazhohet që të çojë përpara edhe reformën në drejtësi.

“Duke nisur me dhënien fund të krizës kushtetuese, funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe një prokurorie larg ndikimeve politike dhe ligjit me një standard dhe jo me dy standarde”, shtoi Basha.

Për të gjitha këto, Basha thotë se është e domosdoshme ndëshkimi i krimit elektoral, që sipas tij, prodhoi një Parlament dhe Qeveri ilegjitime. Kreu i PD foli për një përgjegjësi të opozitës që shkon përtej fitores në një palë zgjedhje dhe nuk përjashton ndryshimin e sistemit zgjedhor, një kërkesë e hershme e aleatëve me të cilët firmosi paktin.

“Një mision kombëtar, për t’i dhënë fund tranzicionit, për të diktuar së bashku me sovranin standardin europian në zgjedhje, demokraci, shtetin e së drejtës, ekonomi dhe kudo. Akti i parë do të jetë formësimi së bashku me shoqërinë i platformës për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe i reformimit të thellë të sistemit politik.

Basha falsitet çdo nismë të subjekteve politike të reja e të vjetra, kur u pyet mbi partinë e re të Astrit Patozit, e ku u përfol se do t’i bashkohej edhe Rudina Hajdari. “Gjeneza e së keqes ku ndodhemi janë zgjedhje false të ndikuara nga krimi. Nuk do të ketë më zgjedhje false, nuk do të ketë më Parlament fals dhe natyrisht nuk do të ketë më as opozitë false”, shtoi ai.

Përgjigjen për kërkesat, Lulzim Basha e mori nga Edi Rama përmes rrjeteve sociale. Ai e cilëson paktin hap tjetër vetëvrasës të opozitës pas djegies së mandateve.

“Pas djegies së mandateve, koalicioni kundër zgjedhjeve një tjetër formë e padëgjuar vetëvrasjeje politike! Humbësit kronikë janë peng i dëshpërimit të tyre, po Shqipërinë s'e marrin dot peng.Zgjedhjet as ndalen as shtyhen. Në 30 qershor qytetarët do të flasin me votë në çdo bashki”, shkroi ai.

Çfarë përmban marrëveshja e koalicionit qeveritar?

Nga Partia Demokratike thonë se platforma e bashkëpunimit është konceptuar e thjeshtë dhe e qartë, jo vetëm për drejtuesit e partive opozitare, por edhe për qytetarët. Ajo është katër faqe dhe në fillim përshkruhen kushtet në të cilat ndodhet vendi dhe në fund përmes 10 pikave rrugën që do të ndjekë opozita për daljen nga kriza.

Kushti i largimit të Edi Ramës, formimit të një qeverie tranzitore dhe zgjedhje të reja është theksuar më fort.

Në pikën e parë deklarohet krijimi i një Koalicioni të Bashkuar Opozitar dhe Qytetar për zgjedhjet e ardhshme në vend. Në të dytën premtimi për të mos hyrë në zgjedhje pa u plotësuar më parë kushtet.

“Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme është formimi i një Qeverie Tranzitore me mandat të posaçëm për kthimin e legjitimitetit politik të qeverisjes në vend nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme parlamentare dhe vendore në Shqipëri, realizimin e reformës zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj, me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit, si dhe eleminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje, krijimin e klimës së besimit për zbatimin e reformës në drejtësi jashtë çdo ndërhyrjeje politike, krijimin e kushteve të nevojshme për të përshpejtuar nisjen e negociatave të Shqipërisë për antarësimin në Bashkimin Europian dhe ndërmarrjen e çdo reforme të nevojshme për këtë qëllim”, thuhet aty.

Në pikën e katërt sanksionohet vullneti i partive opozitare për të mos lejuar asnjë proces zgjedhor, që nuk plotëson kushtet e mësipërme. Si mjet për këtë do të përdoret përshkallëzimi i aksionit opozitar në të gjithë vendin, pa përjashtuar përdorimin e forcës.

Pika 6 shpreh vullnetin opozitar për integrimin e vendit në BE, zotimin për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur. Në pikën 7 partitë nënshkruese angazhohen për miratimin e një platforme të përbashkët për çlirimin e ekonomisë, që sipas tyre është e kapur nga oligarkia dhe krimi me mbështetje qeveritare.

“Ky trinom është përgjegjës për rritjen e papunësisë, largimin e investimeve të huaja, falimentimin e fermerëve dhe sipërmarrjes private. Kjo Platformë e Përbashkët ka për qëllim nxjerrjen e vendit nga kriza e rëndë ekonomike për të krijuar punësim, zhvillim, mirëqenie dhe mundësi të barabarta për të gjithë”, thuhet aty.

Në pikën tetë shprehet angazhimi për të luftuar krimin të të gjitha llojeve dhe formave, ndërsa në pikën nëntë shprehet mbështetja ndaj çdo qytetari kundër veprimeve arbitrare të institucioneve shtetërore.

Pika e fundit është një derë e hapur për të gjitha partitë e tjera, shoqërinë civile dhe grupet e interesit që t’i bashkohen kësaj nisme. “Angazhohemi për një marrëdhënie politike dhe elektorale me çdo individ apo parti politike, bazuar në parimin e proporcionalitetit dhe integritetit të nënshkruesve”, thuhet aty.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë