Ndërtuesit, bizneset e agroturizmit dhe biznesi i vogël do të përfitojnë nga 1 janari 2019 lehtësirat fiskale që janë miratuar në Parlament.
Paketa fiskale e pagëzuar nga qeveria si paketa e mesvitit sjellë disa ndryshime për funksionimin e biznesit.
Skema e re e tatimit të investitorit dhe pronarit të truallit në ndërtim synon që të tatojë në mënyrë të drejtë pronarët e truallit dhe investitorët që operojnë në fushën e veprimtarive të ndërtimit dhe shitjes së ndërtesave (me destinacion strehimi, veprimtari prodhuese, veprimtari tregtare ose shërbimi), në të gjitha rastet kur trualli transferohet nga pronari i tokës, sipas një kontrate këmbimi të tokës me sipërfaqe ndërtimi tek investitori që ndërton. Sipas ndërtuesëve ndryshimet aktuale të bëra në ligj vënë drejtësinë në vend për investitorët në fushën e ndërtimit të cilët i kanë kërkuar këto ndryshime prej 10 vjetësh.
Ndryshimet në këtë ligj parashikojnë gjithashtu një ndarje të re për shkallën e tatimfitimit duke rritur pragun për biznesin e vogël deri në 14 milionë lekë në vit. Biznesi i vogël do të paguajë 5 për qind tatimfitim. Pragu për të kaluar në biznes të madh është mbi 14 milionë lekë duke pasur detyrimin e tatimfitimit 15 për qind.
Për agroturizmin norma e tatimfitimit bëhet 5 për qind për një periudhë kohore 10 vjeçare për strukturat që përfitojnë çertifikimin deri në vitin 2021. Përfitojnë nga kjo lehtësi fiskale strukturat një vit pas marrjes së statusit.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu që subjektet që operojnë në agroturizëm të kenë masën e tatimit prej 6 për qind.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.