Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria miratoi sot përfshirjen edhe të tre bashkive të tjera, Pukë, Lezhë dhe Bulqizë, në Paketën e Maleve, duke zgjeruar më tej këtë nismë për zhvillimin e zonave malore.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, bëri të ditur për mediet pas mbledhjes së qeverisë se tashmë më shumë se gjysma e bashkive në vend janë pjesë e kësaj pakete, duke pasur të miratuara zonat prioritare për zhvillim.
Ai informoi se numri i kërkesave të paraqitura nga territori në kuadër të Paketës së Maleve ka arritur në rreth 500, çka tregon interes të lartë nga qytetarët dhe bizneset.
Sipas Demos, disa bashki janë në fazën përfundimtare të shqyrtimit të kërkesave, si Shkodra dhe Skrapari, të cilat po përmbyllin afatin 45-ditor të shqyrtimit. Pas kësaj faze, kërkesat do të kalojnë për miratim në këshillat bashkiakë përkatës.
“Paketa e maleve është nocion më i gjerë sa i përket zhvillimit ekonomik lokal. Janë vetë bashkitë që e nisin procesin e zonave që janë prioritare për zhvillimin lokal. Qeveria bën miratimin e zonave, janë bashkitë që ndjekin procedurat sa i përket zhvillimit në territor. Nuk është nismë për zgjidhjen e pronësisë, është instrument për zhvillimin lokal. Duhet të kuptojmë dy momente, nuk ka në asnjë rast mundësi që paketa e maleve t’i mbivendoset një toke që është e regjistruar. Çdo aplikant duhet të plotësojë dy kushte, ose duhet ta ketë zotëruar atë territor për së paku 10 vite, ose me dijeni të gjerë të publikut, si në veri, ku njerëzit i kanë ndarë tokat, dhe nuk ka asnjë pronar privat. Procesi ka disa tregues, sidomos për të garantuar që komuniteti të jetë i përfshirë”, tha Demo.
Ministri komentoi dhe sulmin kibernetik ndaj Postës Shqiptare, nga grupi iranian “Homeland Justice”.
“Është duke u zhvilluar analizë nga AKSHI dhe ekspertët e postës shqiptare. Të gjitha shërbimet vazhdojnë normalisht. Nuk ka të dhënë që ka informacione të enkriptuara që janë të paaksesushme nga posta. Duhet të presim raportin e institucioneve. Ajo çfarë dua të nënvizoj është që autoriteti i luftës kibernetike i ka kapacitete dhe i rrit garancitë dita ditës sa i përket integritetit. Jo të gjithë institucionet janë të përfshirë në ombrellën e kësaj mbrojtjes”, tha ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje