Menaxhim

Paketa e Maleve / Miratohen zonat në Dibër, Tepelenë dhe Memaliaj që do të falen për ‘1 euro’

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka miratuar vendimet përfundimtare për zbatimin e Paketës së Maleve, duke shpallur zona me përparësi zhvillimi të ekonomisë malore në bashkitë Dibër, Memaliaj dhe Tepelenë.

Në këto zona do të lejohen dhe nxiten aktivitete ekonomike, industriale dhe turistike, me qëllim zhvillimin e territoreve malore dhe të pazhvilluara. Vendimet përcaktojnë qartë sipërfaqet, kufijtë dhe shtrirjen gjeografike të secilës zonë, të pasqyruara në harta zyrtare kadastrale.

Dibra përfshin 16 zona zhvillimore, nga Bjeshkët e Korabit dhe Lura deri në luginën e Drinit, me disa mijëra hektarë sipërfaqe.

Memaliaj ka 3 zona kryesore zhvillimi në njësitë Luftinjë dhe Buz.

Tepelena përfshin 3 zona të mëdha zhvillimi që mbulojnë Kurveleshin, Lopësin dhe Qendër-Tepelenën.

Zbatimi i vendimeve u ngarkohet Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe bashkive përkatëse. Vendimet hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Të gjithë investitorët që bëhen pjesë e thirrjes do të ushtrojnë aktivitetin e tyre në një regjim të lirë fiskal, për 10 vitet e para.

“Paketa e Maleve” u publikuar për herë të parë në fillim të vitit 2025, ku me anë të investimeve private, qeveria do t’u japë investitorëve pronësinë e tokës.

Kjo nismë, sipas kryeministrit Edi Rama, do të ndihmojë t’u japë tokat e trashëguara nëpër zonat malore, atyre që nuk kanë dokumentacion të plotë, dhe njëkohësisht do të fuqizojë ekonominë e këtyre zonave.

Paketa është pjesë e nismës së vjetër të demokratëve “Shqipëria 1 euro”, e vazhduar dhe nga socialistët. Paketa është kundërshtuar fort nga opozita, e cila nuk mori pjesë as në votimin e projektligjit. Sipas demokratëve, Paketa e Maleve është një ligj korruptiv i porositur nga “klientët” e qeverisë, për të zaptuar një pjesë të mirë të tokave në zonat malore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë