Partia Demokratike thotë se do të kundërshtojë me të gjitha mjetet e format demokratike projektligjin e qeverisë për median. Lulzim Basha deklaron se propozimi nuk është as më shumë e as më pak, por krijimi i “policisë së mendimit”.
“Edi Rama po propozon policinë e mendimit. Çdo shprehje tjetër është ledhatim. Ky akt është veprim i një autokrati që ka humbur çdo sens të arsyes, i një njeriu në panik”, tha Basha i pranishëm në një tryezë të organizuar nga shoqatat dhe organizata të medias dhe gazetarëve.
Lëvizjen e Kryeministrit Rama kreu i PD-së e sheh si përpjekje të dëshpëruar të ngutur pas protestës së studentëve.
“Pasi pa që falë protestës së studentëve i ra mekanizmi i fundit i pushteitt, propaganda i është kthyer propozimit për kontrollin e hapësirës mediatike. Ne do ta kundërshtojmë këtë nismë”, vijoi ai.
Basha qorton edhe një pjesë të ndërkombëtarëve në Tiranë, ndërkohë që falenderon një pjesë tjetër.
“Falenderojmë ndërkombëtarët që janë shprehur kundër këtij projektligji. Institucionet ndërkombëtare, veçanërisht Konrad Adenaur, që është deklaruar armik publik privatisht për arsye se thotë të vërtetën siç është dhe jo ashtu siç e dëshiron Edi Rama”, u shpreh kreu i PD.
Sipas Bashës, nisma e Kryeministrit është një hakmarrje ndaj mediave, që ai thotë se i nxorrën skandalet me tenderin e DH Albanias në Unazën e Re. “Kjo është rrëshqitje në praktika paradiktatoriale”, shtoi Basha.
I pranishëm në tryezë ishte edhe Presidenti i fondacionit Konrad Adenauer për Shqipërisë, Walter Glos. “Ndërhyrja në lirinë e medias cenon vendimin e qershorit për negociatat me Shqipërinë”, deklaroi ai.
Koloreto Cukali, në emër të Këshillit Shqiptar të Medias dhe nismëtar i një peticioni kundër projektligjeve qeveritare gjatë fjalës së tij në tryezën e sotme u ndal tek karakteri restriktiv dhe ultimativ i projekteve. “Autorët e projektligjeve kanë marrë të gjitha masat me urgjencë që çfarëdolloj portali të mund të mbyllet në Shqipëri brenda 24 orësh, me një kërkesë të një komisioni të vogël të AMA-s, qoftë ky edhe i regjistruar jashtë Shqipërisë, qoftë ky edhe Nju Jork Tajmsi”, thotë Cukali.
Kurse Aranita Brahja, në emër të Institutit Shqiptar të Shkencës u ndal tek tentativa për ta kontrolluar median me anë të gjobave dhe akteve administrative.
“Unë përfaqësoj Institutin Shqiptar të Shkencës, që është i njohur për publikimin e Open Data. E kemi ndjekur këtë paketë ligjore që ka ardhur së fundmi, por edhe rregullime të tjera ligjore e nënligjore në fushën e medias. Organizata që unë drejtoj është kundër censurës dhe penalizimit të portaleve pa një vendim gjykate; pra jemi kundër trajtimit administrative të kësaj çështjeje”, deklaroi ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



