Numri i personave të burgosur në Shqipëri ra lehtë në 2020 në krahasim me 2019, por sërish mbetet në shifra shumë herë më të larta se mesatarja europiane për 100 mijë banorë. Këshilli i Europës publikoi raportin vjetor të popullsisë në 51 burgje të vendeve anëtare të KiE.
Në Shqipëri, numri i personave të burgosur dhe në paraburgim për 2020 është 5063, ose 177.9 persona për 100 mijë banorë. Në raportin e Këshillit të Europës për 2019, Shqipëria numëronte 5280 të burgosur, ose 184.5 persona për 100 mijë banorë. Pavarësisht uljes së lehtë, Shqipëria mbetet ende larg mesatares europiane, që është 103.2 persona për 100 mijë banorë.
Shqipëria gjithashtu bën pjesë në listën e vendeve me popullsinë më të re në moshë në burgje, me një mesatare rreth 35 vjeç, ndërkohë që mesatarja europiane përllogaritet në rreth 40 vjeç.
Më shumë se gjysma e personave në burgjet shqiptare janë dënuar, ose janë në paraburgim dhe në procese gjyqësore për akuzat e trafikut të drogës, të tentativës së vrasjes, ose vrasjes.
Ky është viti i dytë radhazi, që pas 2011-s, që numri i popullsisë në burgje pëson ulje. Në 2011, Shqipëria numëronte 162.7 persona në burg për 100 mijë banorë, ndërsa piku i densitetit nëpër burgje u arrit në vitet 2015-2016 me 207.3 dhe 204.8 persona për 100 mijë banorë.
Nga të dhënat e Këshillit të Europës mungon viti 2018, për shkak se Shqipëria nuk u është përgjigjur anketave të dorëzuara prej këtij institucioni, por INSTAT ka publikuar shifrën 5.316 të burgosur, ose rreth 185 persona për 100 mijë banorë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.