Libra

Pajtim Statovci: ‘Unë nuk rrëfej histori për të predikuar’

Pajtim Statovci, i lindur në vitin 1990, është një shkrimtar finlandezo-kosovar që u shpërngul nga Kosova në Finlandë me familjen e tij kur ishte dy vjeç. Romani i tij i parë, “Macja ime Jugosllavia”, fitoi çmimin prestigjioz të letërsisë “Helsingin Sanomat” për debutimin më të mirë finlandez. Në vitin 2016, ai fitoi çmimin letrar “Toisinkoinen” , i cili u jepet romaneve të dyta, me librin “Kalimi” (Crossing), një histori për dy djem adoleshentë që përpiqen të largohen nga Shqipëria post-komuniste. Në një recension për “The Neë Yorker”, Garth Greenëell e përshkroi  personazhin kryesor si një gënjeshtar patologjik që shfrytëzon supozimet mbi viktimizimin . Në vitin 2018, Statovci u shpall Shkrimtari i vitit në Helsinki.

Romani yt i parë, Macja ime Jugosllavia, përfshinte një mace raciste dhe homofobike që fliste. Pse u largove nga realizmi magjik te romani tjetër  “Kalimi” ?

Ka diçka shumë çliruese te realizmi magjik. Ai nuk i përfill rregullat. Por të funksionosh brenda një universi të realizmit magjik mund të jetë e vështirë si për shkrimtarin, ashtu edhe për lexuesin pasi është shumë e lehtë të humbasësh në detin e metaforave. Në romanin “Kalimi”  desha të rrëfej një histori më racionale. Ky libër përmban një sasi të konsiderueshme frike, dhune, dëshpërimi dhe mosplotësimi, të cilat burojnë nga ndjenja e mos-përkatësisë dhe turpit.

A ishte kjo edhe përvoja juaj personale?

Në moshën shtatëvjeçare u rregjistrova në një  shkollë finlandeze. Edhe pse nuk kisha kujtime nga jeta në Kosovë, për bashkëmoshatarët e mi u bëra fytyra e asaj kulture, pasi media vazhdonte të shfaqte  histori tragjedish dhe dhune. Nuk doja keqardhje. Mësova se është një gjë të thuash se je francez apo anglez, dhe krejt tjetër të thuash se vjen nga një vend me histori të plagosur. Për të mos u dalluar, u përpoqa të fshehja origjinën time shqiptare .Kjo është pika fillestare e romanit  “Kalimi”  Dy djemtë e librit, të përshkuar nga i njëjti turp, e kalojnë jetën duke u përpjekur të largohen prej tij. Njëri prej tyre, Bujari, përfundon duke vjedhur jetët, shpresat dhe ëndrrat e të tjerëve.

Personazhi është i papërcakuteshëm . Është një viktimë, por edhe një agresor…

Një nga sfidat më të mëdha në krijimin e këtij personazhi dinak dhe të ndryshueshëm ishte se sa mund të përballojë lexuesi? Është e trishtueshme por dhe relativisht e zakonshme që viktimat e shtypjes të përshtaten me të, të gjejnë veten . Kërkohet shumë më tepër forcë për të luftuar për atë që është e drejtë, dhe shumë njerëz nuk e kanë këtë qëndrueshmëri. Dhuna sjell dhunë. Njerëzit që janë viktima të dhunës, ndonjëherë përfundojnë duke kryer akte të dhunshme vetë.

A sjell ndonjë përgjegjësi të veçantë të shkruarit për migracionin?

Dy protagonistët e “Kalimi” besojnë se jeta në një vend perëndimor është më e mirë se ajo jashtë tij. Doja të tregoja brutalitetin e të qenit i detyruar t’ia  fillosh nga e para në një vend të ri, duke u përballur me paragjykime. Më është bërë pyetja e njëjtë pa fund për mirënjohjen që ndjej ndaj Finlandës për strehimin që më dha mua dhe familjes sime. Jam mirënjohës, sigurisht. Por kërkesa për mirënjohje është e dhimbshme sepse injoron traumat e jetës personale të dikujt. Kjo pritshmëri që shumë migrantë përballen me të është aq përjashtuese, e padrejtë dhe mosrespektuese.

Unë nuk rrëfëj një histori për të predikuar. Por nuk mund të kontrollosh se si e lexojnë lexuesit.  Kur botova librin tim të parë në Finlandë, u shkruan artikuj për mua dhe punën time që thoshin gjëra si “për një migrant, Finlanda është e ftohtë dhe raciste”.

Në një moment në roman, Bujari merr pjesë në një konkurs talentesh të një reality show…

Të qenit në televizion dikur ishte një arritje; kamerat nuk filmonin këdo. Pastaj njerëzit pas kamerës filluan të filmonin njerëz të zakonshëm dhe t’i paraqisnin ata në mënyra gjithnjë e më shqetësuese. Ka një emision ku një grup çiftesh udhëtojnë në një ishull të largët, ku testohen nëse tradhtojnë partnerët e tyre… Nuk e di çfarë është më shqetësuese: që njerëzit trajtohen kështu, që duan të marrin pjesë, apo që shikuesit vazhdojnë t’i konsumojnë këto histori. Doja të hyja në këtë botë me një personazh që është i vetëdijshëm për mekanizmat përmes të cilëve producentët zgjedhin me kujdes një këndvështrim. Bujari shpik një histori që mendon se ata duan, dhe merr pjesë në konkurs si dikush tjetër pasi e refuzojnë kur provon të marrë pjesë në audicion si vetvetja.

Titulli origjinal finlandez i “Kalimi” përkthehet si “Zemra e Tiranës”

Kjo ishte pak e paqartë në anglisht. Kur redaktori im amerikan më telefonoi për të më thënë se kishte në mendje titullin “Kalimi”, menjëherë thashë po, kjo fjalë, në të gjitha kuptimet e saj, e kap thelbin e një libri mbi kufijtë që ndryshojnë, identitetet fluide, kompleksitetin e gjinisë, seksualitetit dhe kombësisë, dhe të drejtën për vetëpërcaktim.

Na thuaj cilët shkrimtarë të tjerë finlandezë duhet të lexojmë.

Rosa Liksom, Olli Jalonen dhe Sofi Oksanen janë të gjithë të mrekullueshëm dhe shumë origjinalë. Romani i Liksom, “Gruaja e Kolonelit” rreth një martese abuzive të një simpatizueseje naziste,  sapo u publikua në anglisht dhe është vërtet i fuqishëm. Pashë shfaqjen teatrale bazuar në të këtu në Helsinki. Është e pabesueshme sa shumë mund të durojë një person në rrethana të caktuara.

Çfarë po lexon për momentin?

Sapo përfundova “Conversations Ëith Friends” të Sally Rooney  dhe më ngjau sikur kisha ardhë vonë në këtë festë, kaq shumë më pëlqeu. Frances, Bobbi, Melissa dhe Nick i ndjeva  si miqtë e mi më të mirë. Fundi ishte thjesht perfekt. Nuk mund të pres për të lexuar Normal People. Në komodinën time është “Ungjilli i Peshkaqenëve” nga Patrik Svensson, sapo u përkthye në finlandisht nga suedishtja; së shpejti botohet në anglisht. Së fundmi lexova “My Name Is Lucy Barton” nga Elizabeth Strout. Aq magjepsëse dhe prekëse; do të lexoj të gjitha librat e saj.

Cilat libra të frymëzuan për të shkruar?

“Harry Potter: dhe “Robinson Cruso”  ishin të preferuarit e mi si fëmijë. Jam frymëzuar nga shumë shkrimtarë: Kafka, Kertész, Toni Morrison, Hanya Yanagihara… Shpresoj të mos jem kurrë në këtë situatë, por nëse do të duhej të zgjidhja vetëm një libër për të lexuar gjatë gjithë jetës, ndoshta do të ishte “Mjeshtri dhe Margarita” i Bulgakov. Ndoshta duket zgjedhje e pritshme, por është kaq i pasur dhe, sa herë që e kam lexuar kam zbuluar shtresëzime të reja.

Burimi: The Guardian. Përshtati: Gazeta “SI”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë