Arsim

Pagesë 240 mijë lekë në vit ose 5 vite punë në Shqipëri. Studentët e Mjekësisë hedhin vezë dhe tymuese te godina e Ministrisë

Një ditë pasi Universiteti i Mjekësisë njoftoi koston e studimit prej 2.4 milionë lekësh të vjetra që do duhet të paguajnë studentet nëse refuzojnë të firmosin kontratën që i detyron të punojë për 2-5 vite në Shqipëri, këta të fundit i janë drejtuar sërish sheshit për të protestuar.

Bojkoti i auditorëve për këtë vit të ri akademik nga studentët e Mjekësisë vijon në javën e dytë, ndërsa pjesë e protestës tashmë  janë edhe të rinjtë e viteve të para.

Ashtu siç kanë bërë çdo ditë pas protestës në ambientet e fakultetit, studentët e Mjekësisë kanë nisur të marshojnë drejt “Rrugës së Durrësit” dhe u grumbulluan tubuar para Ministrisë së Arsimit.

Me pankarta dhe thirrje të ndryshme, të rinjtë kërkojnë anulimin e ligjit që i detyron të punojnë në Shqipëri pas studimeve ose në të kundërt të paguajë tarifën e plotë të shkollimit.

Nuk dorëzohemi para padrejtësisë“, ishte thirrja që shoqëroi marshimin e studentëve.

Teksa e kanë bërë të qartë se vetëm anulimi i ligjit do t’i kthente në auditorë, studentët kanë nisur të gjuajnë me vezë drejt godinës së ministrisë së Arsimit.

Përballa godinës së ministrisë ku po mbahet protesta janë hedhur tymuese, ndërsa të pranishme janë forca të shumta policore. Qarkullimi i automjeteve në këtë zonë të kryeqytetit është bllokuar.

Një student i degës së Mjekësisë që nuk shërben në Shqipëri pas diplomimit të tij, duhet të paguajë një kosto prej 248.975 lekë në vit, ose afërsisht 2.300 euro.

Në vendimin e bordit, çdo student që nuk përmbush detyrimin ligjor, për të ofruar shërbim shëndetësor nga 3 deri në 5 vite në vendin e tij pas studimeve, do të duhet të paguajë një tarifë rreth rreth 249 mijë lekësh të reja për çdo vit studimi. Tashmë pritet që të përpilohet kontrata që do të nënshkruajnë studentët.

Kjo kosto është gati 3-fish më e ulët se kostoja që ishte në relacionin e ligjit të depozituar në kuvend, që ishte rreth 680 mijë lekë.

Kësaj tarife, sipas ligjit të ri për trajtimin e veçantë të studentëve të Mjekësisë, do t’i nënshtrohen ata studentë të cilët nuk firmosin kontratën me qeverinë për të punuar në institucionet publike shëndetësore dhe të lejojnë bllokimin e diplomës së tyre.

Ligji, i cili trajton në mënyrë të veçantë studentët që ndjekin studimet në Mjekësi të Përgjithshme, parashikon se ata që janë nga viti i dytë, në vitin e katërt duhet të punojnë 3 vite në institucionet publike shëndetësore ku ka nevojë shteti, ndërsa ata që janë në vitin e pestë dhe të gjashtë detyrimin për të punuar e kanë dy vite.

Në rastet se këta student nuk do pranojnë të firmosin kontratën, atëherë ata do duhet të paguajnë kosto reale të studimit, e cila me vendimin e fundit të miratuar nga rektorati i Universitetit të Mjekësisë, është rreth 2300 euro në vit.

Pra një student që është në vitin e dytë dhe nuk do pranojë të lidh kontratë me qeverinë, do duhet të paguaj për të pesta vitet e studimit që i kanë mbetur rreth 12 mijë euro.

Studentët e Mjekësisë, prej muajit korrik që është miratuar ligji, janë shprehur kundër, pasi siç thonë ata u cënon të drejtat. Ata vijojnë me bojktotin e mësimit me protesta-marshimi te Ministria e Arsimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë