Nga Gazeta ‘SI’ – Janari i 2024-s ka nisur mbarë për arkën e shtetit, ku janë mbledhur mbi 54 mld lekë nga taksat. Vlera është disa herë më e lartë se janari i 2023-shit, kur u arkëtuan 35.4 mld lekë dhe ka kaluar edhe planin e periudhës.
Konstatimi se “pagamarrësit po mbajnë shtetin” vijon të qëndrojë edhe për janarin, ku kontributet shoqërore e shëndetësore, bashkë me tatimin mbi të ardhurat kanë pasur rritjen më të fortë, lidhur kjo me rritjet e pagave në shtet.

Fillimisht, kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të cilat u realizuan në masën 15 miliardë lekë, me 2 miliardë lekë më shumë se Janari 2023, si dhe realizim 107.2% të planit. Tatimi mbi të ardhurat personale ka pasur gjithashtu perfomancë pozitive me rritje në 8.6 % duke arritur në 5.7 mld lekë, ndërsa tatim fitimi kontribuoi me rritje në masën e 462 milionë lekë
TVSH-ja regjistrohet me një rritje prej 1.3 miliardë lekë krahasimisht me një vit më parë, duke arritur në 18.3 mld lekë, si dhe taksat nacionale me 14.6% më shumë.
Ndërsa të ardhurat doganore u realizuan në vlerën 15 miliardë lekë, ose 1.6% më pak se janari i vitit 2023, ku ndikim kryesor ka pasur ulja e të ardhurave nga TVSH-ja në import, për shkak të luhatjeve të kursit të këmbimit.
Lidhur me shpenzimet buxheti i është rikthyer suficitit dhe mosrealizimit të plotë të shpenzimeve kapitale.
Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e parë të vitit 2024, arritën në rreth 38.6 miliardë lekë me një realizim në masën 89.2 për qind të planit të periudhës.
Niveli i suficitit në muajin e parë të vitit 2024 rezultoi në rreth 15.8 miliardë lekë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.