Para

Arka e shtetit po mbushet nga të punësuarit, bien të ardhurat nga TVSH-ja

Nga Gazeta 'SI' - Qeveria ka arkëtuar 643.3 mld lekë nga taksat dhe kontributet, duke tejkaluar lehtë planin vjetor dhe duke u rritur fort nga 2022-shi, +71 mld lekë. Për të njëjtën periudhë, shpenzimet publike raportohen 675 mld lekë.

Individët e punësuar po bëhen zëri kryesor i arkës së buxhetit me një rritje të fortë nga viti në vit. Arkëtimet nga tatimi mbi të ardhurat personale, janë rritur me 13 mld lekë duke kapur 58 mld në fund të vitit 2023. Ndërsa të ardhurat nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, arritën 139.3 mld lekë, me rritje pothuajse 21 mld lekë nga 2022-shi.   

Tatim-fitimi, që paguhet nga bizneset ka arkëtuar 65 mld lekë në 12 muaj, plot 17 mld më shumë se një vit më parë. TVSH-ja e arkëtuar neto, kapi rreth 46 mld lekë, 33% më shumë se 2022-shi, por 3% më pak se plani.  Taksat nacionale, për periudhën 12 mujore 2023 u realizuan në masën 37.2 mld lekë.

Në kontrast, TVSH-ja në import, po humb pozitën e saj si zëri më me rëndësi i buxhetit. Në një vit, të ardhurat nga TVSH-ja kanë rënë me rreth 7% dhe nuk kanë arritur as parashikimin. TVSH-ja ka mbledhur 146.4 mld lekë për 2023-shin.

Akciza ka arkëtuar 58.4 mld lekë, 9% më shumë se vitin e shkuar, por se ka arritur parashikimin. Renta minerare në eksport ka mbledhur rreth 3 mld lekë, shumë më pak se 2022-shi dhe se plani.  Të ardhurat nga taksat e tjera doganore janë arkëtuar në vlerën 9.1 miliardë lekë.  

Të ardhurat nga taksat kombëtare në vitin 2023 raportohen në 344.9 mld lekë, duke kaluar ndjeshëm arkëtimet e një viti më parë, por edhe parashikimin për periudhën.

Shpenzimet publike nuk e arritën planin vjetor, por rezultojnë rreth 4% më të larta se një vit më parë. Sipas llojit, pjesa më e madhe e shpenzimeve, 547 mld ishin korrente, ndërsa 119 mld kapitale.

Niveli i deficitit për vitin 2023 rezultoi në masën 1.4% të PBB-së, rreth 31 mld lekë, pas më shumë se një viti suficit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë