Taksa

Padia për taksën e profesioneve të lira, Tabaku: Në 3 muaj u pezulluan 3.000 biznese, po ikin profesionistët

Nga Gazeta'SI' - Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka deklaruar se tatimi i profesioneve të lira ka çuar në mbylljen e 3.000 bizneseve dhe po largon profesionistët nga Shqipëria.

Pas daljes nga Gjykata Kushtetuese, ku depozitoi fakte të reja për padinë kundër tatimit të profesioneve të lira, Tabaku tha për median se ligji i qeverisë është i padrejtë dhe po dëmton në zinxhirë të gjithë profesionistët.

“Të gjitha institucionet shtetërore me të cilat ne kemi pasur komunikimin kanë vërtetuar se ky ligj është duke prekur profesionet e lira. Nga prilli i kaluar deri në prill të këtij viti janë thuajse 11 mijë biznese që janë pezulluar. Në tre muajt e parë të këtij viti janë thuajse 3000 biznese që janë pezulluar...Kjo do të thotë se ky ligj ka krijuar problematikë në zbatimin e tij duke rezultuar me mbylljen e bizneseve” deklaroi Tabaku për median.

Ajo shtoi se shumë profesionistë po konsiderojnë largimin nga Shqipëria. Pyetur nga gazetarët për mbështetjen që Fondi Monetar i ka dhënë qeverisë për këtë ligj, Tabaku tha se FMN ka mbështetur përjashtimet që bëhen nga taksat.

“Besoj që FMN e ka pasur për faktin që sot ka shumë përjashtime nga sistemi, sot kei hotelet me 5 yje që janë të përjashtuar, heqja e përjashtimeve duhet të nisë nga ata që rëndojnë ,ë shumë buxhetin e shtetit. Në këtë rast ne nuk po kërkojmë asnjë politikë selektive , ne po kërkojmë që profesionet e lira të trajtohen si gjithë bizneset e tjera, sipas xhiros dhe unë besoj që për këtë FMN nuk ka asnjë objeksion. Në këtë rast, Qeveria shqiptare duhet të korrigjojë përjashtimet nga taksa për akiczën e naftës, nga favorizimet në fushën e turizmit, për taksën e infrastrukturës për biznesin e madh. Këto janë përjashtime që e dëmtojnë buxhetin e shtetit, jo profesionet e lira”, përfundoi Tabaku.

Ishte po deputetja Tabaku që në fillim të këtij viti depozitoi në GJK padinë, me pretendimin se taksimi i profesioneve të lira është i padrejtë dhe dëmton shtresën e mesme.

“Besoj se është një shenjë që grupi parlamentar i PD-së dhe individët e Komisionit të Ekonomisë janë të shqetësuar për të mirën publike, për dëmin që po shkakton në këtë shtresë të caktuar të popullsisë dhe janë të shqetësuar sepse sot buxheti i shtetit është kthyer në një listë favoresh”, tha ajo, në një prononcim për mediet, pas depozitimit të padisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë