Lajme

Padia e Gardës ndaj Prendit, Gjykata e Tiranës shpall moskompetencën

Garda e Republikës ngriti një padi civile ndaj Ndrea Prendit, ish-komandantit të këtij institucioni në kohën e qeverisë Berisha, si edhe ish-shefit të njësisë special të Gardës, Agim Llupo.

Në padinë e saj, Garda arsyetonte se Prendi dhe Llupo janë gjetur më parë fajtor për vrasje nga gjykata gjatë një procesi penal dhe kërkon dëmshpërblim për familjarët e viktimave.

Garda i ka paditur të veçuar dy ish-funksionarët e lartë të saj dhe seanca e parë gjyqësore ishte parashikuar të zhvillohej këtë të martë në Gjykatën e Tiranës, por ajo ka shpallur mos-kompetencën për këtë padi. Gjykata e Tiranës e ka dërguar dosjen në Gjykatën Administrative.

Ndërkohë në vendimin e mëhershëm, gjykata kishte vlerësuar se vrasjet në protestën e 21 janarit kishin ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e gardës, Ndrea Prendi me 1 vit burg dhe gardistin Agim Llupo me 3 vjet.

Ndërkohë pak ditë më parë qeveria paraqiti në Kuvend një ligj të ri për Dëshmorët. Projekti parashikon dhënien e titullit dëshmor edhe të atyre që kanë rënë në përpjekje për të mbrojtur proceset zgjedhore. Ata që përfitojnë janë katër të rënët në protestën e 21 Janarit. Ligji i ri nuk prek asnjë nga statuset e dhëna deri më tani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë