Rend dhe Ligj

Padia e Alushajt dhe loja për të shtyrë zgjedhjen e Kryeprokurorit

Edhe Gjykata e Apelit Administrativ përfshihet në skenarin që emërimi i prokurorit të përgjithshëm të vonohet sa më shumë. Gazeta “Si” u interesua për datën e gjyqit, pas padisë së kandidatit të skualifikuar, Lulzim Alushaj, që siç e kërkon ligji gjykata duhet ta shqyrtonte brenda shtatë ditëve kërkesën e tij por tej çdo afati e ka shtyrë duke shkelur urdhëresat e ligjit

Pranë sekretarisë gazetës “Si” iu komunikua që procesi nuk ka ende një datë, pasi gjyqtarja relatore e ka kthyer pas padinë e avokatit Alushaj, derisa ai të plotësojë të metat e padisë. Por përkthyer në afate ky veprim i gjykatës do të thotë kohë e ikur kot përderisa Këshilli i Lartë i Prokurorisë gjendet një hap larg thirrjes për t’i intervistuar garuesit. Siç mëson Gazeta “Si”, vendimi i ndërmjetëm i gjyqtares i lë kohë nga marrja e njoftimit edhe dhjetë ditë të tjera garuesit të nxjerrë nga loja që të plotësojë padinë. Por, kjo kohë vlerësohet e ikur kot në rast se do përllogaritet edhe 10-ditëshi që do t’i duhet vërtet gjykatës për ta vlerësuar. Megjithatë, “surpriza” qëndron në dorën e Alushajt për të kuptuar nëse pas kthimit të akteve për plotësim a do t’i paraqesë apo jo të korrigjuara avokati, i cili kundërshtoi gjatë javës vendimin e Këshillit.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë

Por, edhe vetë qeveria e prokurorëve u kuptua që është angazhuar në burokracitë tipike shqiptare. Një mbledhje për miratimin e metodologjisë, nga e cila do vlerësoheshin kandidatët u shty pa afat, pasi ish-këshilltari i Arta Markut, anëtar në KLP kërkoi të njihej me aktet. Edhe pse kjo kërkesë u pa si justifikim për të mos realizuar mbledhjen, anëtarët e tjerë ia plotësuan dëshirën dhe nuk e miratuan metodologjinë e pikëzimit. Nga kjo gjendje shtyrjesh duket që kandidatja Marku po përfiton më tepër, pasi zgjatet edhe koha e qëndrimit në detyrën e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, një detyrë që në dhjetor mbush dy vjet nga betimi në parlament. Kësisoj gara mes tre kandidatëve ngjan të jetë për momentin një çështje “pauze”, por që e gjitha është zhvendosur në KLP. Anëtarët e Këshillit tanimë janë 11 pas votimit të më të resë, Esmeralda Camit, e cila fitoi përballë Vladimir Marës, për të cilin në distancë loboi Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme.

Megjithatë, më herët Këshilli humbi dy kandidatë nga vettingu, të cilët u shfaqen hapur pro kandidatit Olsian Çela, pasi Marku kishte nisur luftën me rivalin, i cili përflitej, por ende nuk kishte dalë hapur me ambicien e tij. Nëse gjatë kësaj pritjeje do të dalin dy anëtarët e tjerë të apeluar, atëherë mund të dyshohet se edhe vettingu në këtë pikë është një makinë, e cila përveçse kontrollon subjektet e drejtësisë, në rastin konkret është edhe një makinë llogaritëse që i sheh ata si vota. Anëtarët e KLP që presin Apelin janë Besnik Cami, ish-këshilltar i Arta Markut dhe Arben Dollapaj, i shfaqur i ekuilibruar, por që me shumë mundësi vota e tij nuk do jetë për Markun, por mes Çelës dhe kandidates Memçaj. Kjo e fundit ka zgjedhur të bëjë një fushatë më të butë dhe nuk përjashtohet që votat e anëtarëve që prokurorja Memçaj të ketë siguruar, të sjellin edhe balotazhin. Ndërsa koha ikën, ajo është e artë për kreun e përkohshëm të akuzës, që doli tej çdo parashikimi të politikës dhe e mbajti detyrën në një përkohshmëri që pak nga pak po kthehet përhershmëri.

 

Më Shumë