Lajme

(Pa) siguria në plazhe, dy të mbytur dhe një i zhdukur në 24 orët e fundit

Sezoni turistik ka nisur, por viktimat që janë shënuar deri më tani ngrenë pikëpyetje mbi sigurinë në plazhet tona.
Mëngjesin e kësaj të hëne mësohet se është shënuar viktima e radhës në plazhin e Durrësit. Raportohet se është mbytur një pushues 60-vjeçar.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pranë shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, në zonën e Plepave.
Trupi i 60-vjeçarit është nxjerrë i pajetë nga uji dhe u transportua drejt morgut, ndërsa ende nuk është bërë i ditur identiteti i tij.
Kjo është viktima e dytë brenda 24 orëve të fundit në plazhin e Durrësit, pasi po mëngjesin e sotëm u nxor i pajetë nga ky plazh edhe 31-vjeçari Doland Molla, i zhdukur mesditën e djeshme.
Trupi i pajetë i 31-vjeçarit është gjetur në Gjirin e Currilave në Durrës. Menjëherë pas njoftimit të dhënë nga dy shokët e tij me të cilët kishte shkuar në plazh, pasditen e djeshme nisën kërkimet në tokë e në det për gjetjen e shtetasit Donald Molla, i cili ishte me origjinë nga Skrapari.
Ndërkohë, më herët një tjetër pushues, një 70-vjeçar kosovar, ka humbur jetën po në plazhin e Durrësit.
Edhe në Velipojë tre persona rrezikuan të mbyteshin dje, ndërsa u shpëtuan falë ndërhyrjes së shpejtë të pushuesve.
Ndërkohë, në plazhin e Ranës së Hedhun në Shëngjin vijojnë kërkimet për 18-vjeçarin me inicialet E. M., i cili pasi ka hyrë në det nuk është parë më nga familjarët.
Viktimat nuk kanë munguar edhe në plazhin e Vlorës. Para disa ditësh një grua 70-vjeçare pësoi arrest kardiak, sapo hyri në det, në zonën e njohur si Plazhi i Ri. Po ashtu më herët, edhe një pushuese tjetër 70-vjeçare ishte viktimë në këtë plazh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë