Art dhe Kulture

Pa godinë, por me drejtues të ri! Klajd Ymeri emërohet drejtor i Cirkut Kombëtar

Nga Gazeta Si – Megjithëse ende nuk kanë një çadër për shfaqjet e tyre, artistët e Cirkut Kombëtar kanë tashmë një drejtues të ri. Me vendim të qeverisë dhe propozim të Ministrisë së Kulturës, Klajd Ymeri është emëruar drejtor i ri i Cirkut Kombëtar.

“Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave V E N D O S I: Z. Klajd Ymeri emërohet drejtor i Cirkut Kombëtar. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Artistët e Cirkut Kombëtar janë ende pa një godinë apo çadër, ndërsa janë me shpresën e një projekti konkret.

Në tetor të vitit 2021, përmbaruesit çmontuan çadrën e Cirkut Kombëtar, Gjykata Administrative me vendim të formës së prerë i kaloi truallin ku ndodhej cirku, pronarit privat.

Rreth dy muaj pas heqjes së çadrës së Cirkut Kombëtar, pasi trualli ku ishte ngritur ju rikthye pronarit, u shkarkua edhe drejtori në detyrë i këtij institucioni, Ilirjan Gjini.

Pas heqjes së Çadrës, edhe pse Ministria e Kulturës propozoi një ambient të përkohshëm për stërvitje, (palestrën e shkollës “Sinan Tafaj”), artistët nuk e frekuentuan atë ambient për shkak të mungesës së kushteve, duke e cilësuar si një mashtrim të radhës.

Në një deklaratë të mëvonshme, Ministrja e Kulturës, Elva Margariti do të deklaronte se Cirku i ri Kombëtar mund të vendoset në një prej lagjeve të reja të Tiranës që po ndërtohen për të strehuar banorët që humbën banesat nga tërmeti.

Margariti do të theksonte se ende nuk ka një projekt specifik dhe ende nuk mund të flitet për kohën e ndërtimit të cirkut apo edhe koston.

“Ne jemi në bisedime me Bashkinë e Tiranës për lagje të reja të cilat po rindërtohen post tërmetit, për të alokuar në një prej këtyre dhe këtë hapësirë (cirkun) të munguar”, tha ministrja.

Historia e prishjes së Cirkut Kombëtar, ku përmbaruesit dhe artistët e cirkut përplaseshin mes tyre vijoi prej vitesh.

Përplasjet nisën që kur Gjykata Administrative me vendim të formës së prerë i kaloi privatit truallin, ku ndodhej Cirku Kombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë