Menaxhim

Prezantohet projekti i zhvillimit të stadiumit ish-Dinamo, Rama: Do ndërtojmë sistem të ri parkimi

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se do të ndërtohet një sistem i ri parkimi në kryeqytet dhe zonat bregdetare, përballë një nevoje të madhe për më shumë vende parkimi.

Pa dhënë shumë detaje, Rama tha se do do të shpallen proceset dhe arkitektët mund të ofrojnë propozimet e tyre.

“Në fund, së shpejti po ashtu, e them këtë se e di që këtu ka jo pak përfaqësues kompanish, por edhe të tjerë që na dëgjojnë, IC do të shpallë edhe proceset për ndërtimin e një sistemi të ri parkimesh në kryeqytet dhe bregdet, ku ne do të përfshijmë të gjithë arkitektët ndërkombëtarë, që janë pjesë tani e përditshmërisë tonë me të cilët do të organizojmë edhe festivalin e arkitekturës në fillim të Qershorit. Për parkimet, qëllimi është t’i përgjigjemi një sfide të madhe të këtij zhvillimi që është nevoja për më tepër parkime dhe për një sistem të pranueshëm të qarkullimit që ka filluar të japë shenja vështirësie të dukshme. Duke përmendur të gjitha këtoju falënderoj për praninë dhe jam shumë i kënaqur që kemi arritur që në Tiranë të organizojmë evenimente të tilla përmasave”, tha Rama gjatë prezantimit të projekteve për rindërtimin e stadiumit “Selman Stërmasi”.

Stadiumi i ri, që do të ndërtohet sipas standardeve të UEFA-s do të jetë i ngjashëm me modelin e “Air Albania”, fushë futbolli dhe ndërtime për shërbime apo banim. Gjatë takimit u prezantuan projektet që kanë kaluar fazën e parë.

“Stadiumi,në fakt nuk janë stadiume ekzaktësisht, por janë qendra të reja urbane, në Durrës, Vlorë dhe Korçë. Tani i vjen radhë stadiumit “Selman Stermasi”, edhe ky sipas kërkesës së bërë për studiot është në fakt një tjetër bërthamë për një qendër të re urbane, që jam i bindur që duke pasur parasysh konkurrentët, do të jemi në kushtet ku do të kemi mundësi të bëjmë një zgjedhje të mirë. Ka nisur procesi për ndërtimin e qendrës së re administrative që do të akomodojë 18 institucione, procesi për ndërtimin e godinës së re të Kadastrës. Biblioteka e re kombëtare me një konkurs që do të shpallet së shpejti. Ndërkohë që po punohet dhe është në kantier akademia e Manchester City në Durrës. Së shpejti edhe akademinë e Nadal në Durrës . Agjencia është në diskutime me NBA për akademinë e NBA po në Durrës, ku duam të krijojmë një destinacion akademish sportive”, u shpreh kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë