Kosova

Osmani: Vaksinat kundër Covid-19 në Kosovë, pas prillit

Vjosa Osmani u ka kërkuar sot autoriteteve në Kosovë të punojnë më intensivisht për të siguruar vaksinën kundër Covid-19 pasi sipas saj, nëse nuk bëhen më shumë përpjekje dozat e para nuk pritet të mbërrijnë në Prishtinë përpara prillit.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës bën thirrje që përveç vaksinave të programit COVAX, të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave për vendet e varfra, Kosova duhet të sigurojë vaksina edhe nga disa shtete të Bashkimit Europian.

“Mendoj që kemi vonesa të cilat nuk do të duhej të arsyetoheshin. Shtetet e tjera të rajonit janë para nesh, prandaj ne duhet të kërkojmë dhe do të kërkojmë përgjegjësi nga qeveria se pse ne nuk jemi të përgatitur dhe pritet që, sipas të gjitha gjasave, vaksinat të vijnë pas prillit”, tha Osmani për gazetarët, pas vizitës në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

“Por, kjo nuk do të thotë se nuk janë duke u bërë edhe përpjekje të tjera maksimale në mënyrë që të marrim ndihmën e disa shteteve të Bashkimit Europian, sidomos nga disa që kanë porositur më shumë vaksina sesa numri i popullatës”, theksoi Osmani, duke shtuar se vaksinat nga shtetet e BE-së mund të arrijnë në Kosovë më herët sesa muaji prill i vitit 2021.

Reagimi i saj vjen pasi ministri në detyrë i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë në fundjavë se Kosova, ka aplikuar zyrtarisht në programin COVAX, për sigurimin e vaksinës më 7 dhjetor, duke mos konfirmuar nëse Kosova po zhvillon negociata me kompanitë Pfizer dhe BioNTech për sigurimin e vaksinës.

E pyetur për hyrjen e vaksinave kundër koronavirusit nga Serbia në komunat në veri të Kosovës, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës tha se kjo është shkelje e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga BE-ja.

“Kjo jo vetëm që është shkelje flagrante e marrëveshjeve që janë nënshkruar në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë procesit të dialogut dhe dëshmon se Serbia në këtë proces është ushtruese dhe kurrë zbatuese e premtimeve që jep. Por, në anën tjetër tregon edhe një mungesë përgatitjeje nga ana e institucioneve tona, në mënyrë që të gjithë qytetarët, në çdo cep të Kosovës, përfshirë edhe veriun e vendit, të njoftohen se duhet të presin ata vaksinat nga institucionet shëndetësore të Kosovës”, tha Osmani.

Më 25 dhjetor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç njoftoi se në komunat në veri të Kosovës janë dërguar vaksina të prodhuara nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech. Organet e drejtësisë kanë konfirmuar se kanë nisur hetimet për të parë se si kanë hyrë këto doza të vaksinës në Kosovë, pasi më 26 dhjetor, Qeveria e Kosovës tha se nuk është njoftuar zyrtarisht për hyrjen e vaksinave në territorin e Kosovës.

Osmani, e cila njëherësh është edhe kryetare e Kuvendit të Kosovës, tha se Serbia po mundohet të destabilizojë Kosovën me dërgimin e këtyre vaksinave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë