Nga Gazeta ‘Si’- Nuk është shënuar ndonjë përparim për ta zhbllokuar ngërçin politik – pas dështimeve të njëpasnjëshme të deputetëve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës – as pas një takimi të presidentes Vjosa Osmani me shefat e partive parlamentare të enjten.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se partitë politike kryesisht qëndruan në pozicionet e tyre paraprake, “që nënkupton se nuk ka ndonjë zgjidhje eventuale për ngërçin politik dhe nuk ka as iniciativë që do të zhbllokojë këtë gjendje të tanishme”.
Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës tha se “siç mund ta shihni, nuk ka dalë tym i bardhë, pra nuk ka risi”.
“Nuk jam optimist që Kurti do ta ndërrojë propozimin. Ai nuk i ka votat as për komision as për kryetare e as për kryeministër. Duke mos i pasur votat po e mban peng krejt shtetin”, tha Krasniqi pas takimit.
Pas takimit me shefat e partive shqiptare, Osmani do të zhvillojë bisedime me pakicat në orën 15:00.
Takimi vjen në ditën kur deputetët nuk arritën ta konstituojnë Kuvendin as në tentimin e gjashtëmbëdhjetë – pikërisht një muaj pasi filluan përpjekjet – për shkak të ndarjeve politike. Konstituimi i Kuvendit është i domosdoshëm për të hapur rrugë për formimin e Qeverisë së re.
Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit.
Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si një “figurë përçarëse”, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se nuk do ta mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.
Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.
Për krijimin e institucioneve të reja nevojitet arritja e ndonjë marrëveshjeje politike, duke parë se asnjëra parti nuk e ka fituar shumicën për të qeverisur e vetme.
Vetëvendosje i ftoi 48 ulëse, PDK 24, LDK 20, koalicioni AKK-NISMA 8, Lista Serbe 9, Partia për Drejtësi dhe Mbijetesë 1 dhe pakicat joserbe 10.
Osmani paralajmëroi të martën se mund të ketë një sërë takimesh mes saj dhe partive politike, varësisht se si shkojnë bisedimet të enjten.
Ajo tha se moskonstituimi i Kuvendit e rrezikon “pikërisht funksionimin kushtetues të institucioneve që është edhe arsyeja pse i kam ftuar liderët që të diskutojmë rrugën përpara”.
“Si institucion i Presidencës jemi në zbatim të detyrave kushtetuese, sepse, siç e dini, neni 84 përcakton që presidentja e vendit ka për detyrë të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve”, tha ajo.
Ndërkohë, Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin Joqeveritar për Politikat e Demokratizimit në Berlin, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tha se “në krizën aktuale, e vetmja rrugëdalje është angazhimi i fuqishëm i Perëndimit, pra i Evropës.”
“Sidoqoftë, ndryshe nga të gjitha krizat e mëparshme që nga viti 2010, ky angazhim mungon, sepse politika perëndimore, ajo e BE-së ndaj Kosovës, ndodhet në një fazë kalimtare të një vakumi strategjik pas rrënimit të plotë të dialogut politik dhe mungesës së udhëheqjes nga kryeqytetet e shteteve anëtare më të rëndësishme. Për këtë arsye, më duket se kjo krizë politike dhe institucionale është më e thella që nga shpallja e pavarësisë”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.