Vjosa Osmani, ka folur për herë të parë në një media ndërkombëtare si presidente e Kosovës në detyrë, duke deklaruar se marrëdhënia e Prishtinës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jetë më e fuqishme dhe më e qëndrueshme me uljen e Joe Biden në zyrën Ovale.
Në një intervistë për gazetën angleze, “Financial Times”, Osmani ka thënë se mbështetja amerikane për Kosovën ishte vënë në dyshim nën administratën Trump.
“Të gjithë e dinë që presidenti i zgjedhur Biden është mik i Kosovës”, thotë kryeparlamentarja Osmani duke iu referuar mbështetjes së gjatë të Bidenit për ndërhyrjen dhe dialogun midis Serbisë dhe Kosovës. “Ai e di shumë mirë dhimbjen tonë”, thekson ajo.
Osmani ka sinjalizuar po ashtu se Kosova nuk do të zbatojë pikat e marrëevshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Donald Trump pa parë pozicionin e Biden për këtë pakt.

Sidoqoftë, kjo marrëveshje nuk mund të zbatohet. “Ne nuk mund të shkojmë përpara. . . pa shikuar se cili është pozicioni i administratës së re në këto pika”, tha Osmani, duke iu referuar pikave të marrëveshjes për liqenin e Ujmanit dhe “mini-Shengenin”.
“Joe Biden e di të vërtetën dhe e vërteta është shumë e thjeshtë dhe e qartë”, tha Osmani. “Serbia e humbi Kosovën sepse abuzoi me parimin e sovranitetit dhe integritetit territorial për të kryer gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai e di të vërtetën dhe nuk do të përpiqet ta ndryshojë atë”, theksoi ajo, duke “thumbuar” kështu presidentin Trump, i cili është akuzuar se ka pasur një qasje kontradiktore ndaj dialogut Kosovë-Serbi.
Osmani mori rolin e presidentes së përkohshme në fillim të nëntorit pasi Hashim Thaçi, dha dorëheqjen për t’u përballur me akuzat për krime lufte të ngritura nga një gjykatë speciale me bazë në Hagë, shkruan “Financial Times”. “SHBA-ja ka luajtur prej kohësh një rol kryesor në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës. Ndërsa, Trump kërkoi të angazhohej, disa i panë ndërhyrjet e tij si shërbim të interesave të ngushta ekonomike dhe politike të SHBA-së.”
Gjatë kohës që ishte senator amerikan, Biden ishte avokat i zëshëm i ndërhyrjes amerikane në luftën e Kosovës në vitet 1998-1999.
Por sipas “FT”, qasja e administratës Biden bie në kontrast me përpjekjet e administratës Trump për të ndërmjetësuar një marrëveshje të shpejtë midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë.

“Në vend që të vendosnin mosmarrëveshjet bilaterale midis Beogradit dhe Prishtinës në qendër, fokusi i marrëveshjeve ishte në përparësitë e politikës së jashtme të SHBA-së, të tilla si njohja e Jerusalemit si kryeqyteti i Izraelit dhe premtimi për të mos dhënë licenca 5G për kompanitë “e pabesueshme”, si kompania kineze të teknologjisë, Huawei”, thotë media britanike. “ Në pranverë, Uashingtoni inkurajoi rrëzimin e një qeverie anti-korrupsion në Kosovë sepse kryeministri i saj nuk ishte i interesuar në drejtimin e negociatave me Serbinë. Dhe në shtator, pas një ndryshimi në qeveri në Prishtinë, Donald Trump priti presidentin serb, Aleksandar Vuçic dhe kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti në Shtëpinë e Bardhë, ku të dy palët ranë dakord për të përmirësuar marrëdhëniet ekonomike, shkruan FT.
Duke iu referuar dorëheqjes së Thaçit, Osmani tha se Kosova ka treguar “pjekuri institucionale” dhe “vullnet të jashtëzakonshëm për të bashkëpunuar me drejtësinë”.
“Thaçi është shqiptar. Gjykata me qendër në Hagë, e cila është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por ka staf ndërkombëtar për shkak të frikës për mbrojtjen e dëshmitarëve ka një rol të diskutueshëm, sepse përqendrohet vetëm në krimet e kryera nga shqiptarët, edhe pse shumica e njerëzve që vdiqën në luftë ishin shqiptarë”, thekson FT”.
Aktakuza u njoftua në qershor, ndërsa Thaçi po udhëtonte për në një takim të planifikuar për në Shtëpisë së Bardhë me homologun e tij serb, Vuçic, dhe u konfirmua nga një gjykatës në nëntor.
Osmani tha se nuk mund të ketë “asnjë ekuivalencë morale” midis krimeve të pretenduara të kryera nga disa individë shqiptarë dhe “aparatit shtetëror të Serbisë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




