Nga Gazeta ‘Si’-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk ka arsye për ta takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç para se ndaj tij të vendosen sanksione për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
Osmani ka folur të enjten pak para nisjes së një mbledhjeje në Granadë të Spanjës, në kuadër të Komunitetit Politik Evropian.
Aty marrin pjesë liderë të vendeve të Bashkimit Evropian dhe rreth 20 liderë tjerë të vendeve të Evropës dhe Kaukazit.
Më herët gjatë ditës ka pasur pritshmëri nga liderët evropianë që Osmani dhe Vuçiç të mund të takohen në margjina të këtij takimi.
“Nuk ka arsye të takohemi para se të vendosen sanksione drejt Vuçiçit. Sanksione në fillim, e më pas mund të flasim për më shumë”, ka thënë Osmani.
Ajo ka thënë se shpreson që edhe Spanja – e cila nuk e njeh shtetësinë e Kosovës – të bashkohet në sanksione kundër Serbisë.
Një një takim të mbajtur ditë më parë në Parlamentin Evropian, disa eurodeputetë kanë kërkuar vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë për shkak të sulmit në Banjskë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.