Kosova

Osmani: Kosova e gatshme për zgjedhje të reja në veri, por duhet garanci nga ndërkombëtarët

Nga Gazeta ‘Si’-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për situatën aktuale në vend, zgjedhjet në veri si dhe për dialogun dhe ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë, përkatësisht të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

Në një intervistë për “Politico”, Osmani ka thënë se ajo e ka bërë të qartë që më 1 qershor se Kosova është e gatshme të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat në veri. Por, ajo ka shtuar se ndërkombëtarët duhet të përkujdesen që të mos lejojnë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që të ndërhyjë sërish në zgjedhjet e një vendi tjetër.

“Jemi të gatshëm të mbajmë këto zgjedhje, problemi është se komuniteti serb që jeton në veri të Kosovës, që është vetëm një e treta e të gjithë serbëve që jetojnë në Kosovë, po frikësohet nga njerëzit që paguhen, përkrahen dhe nxiten nga vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe nga Serbia. Atyre u bëhet presion të mos marrin pjesë në zgjedhje. Ne ende nuk po shohim lëvizje ku Vuçiçi do të ndalojë së ndërhyri në zgjedhjet e një shteti tjetër”, ka deklaruar Osmani.

Sipas Osmanit, bojkoti i zgjedhjeve në veri nuk ishte vullnetar, por u bë si shkak i presionit që po i bëhej popullatës lokale në veri.

Ajo ka thënë se ka pasur raste që serbët që kanë dashur të votojnë janë rrahur apo kidnapuar nga njerëz të shërbimit sekret të Serbisë që drejtohet nga Aleksandar Vulin, një njeri që gjendet në listën e zezë të SHBA-së.

Osmani ka thënë se duhet përkujdesur që çdo gjë të bëhet në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë e me aleatët, që të evitohen tensionet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë