Kosova

Osmani e ashpër ndaj BE-së: U hapet dera atyre që shkojnë te Putini dhe bllokohet Kosova

Nga Gazeta ‘Si’- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani konfirmoi se nuk do të ketë një takim me homologun serb, Aleksandër Vuçiç gjatë punimeve të Samitit të Komunitetit Politik në Tiranë.

Osmani u shpreh para mediave se synon që në këtë samit të flasë me liderët e BE për heqjen e masave të padrejta ndaj Kosovës si dhe njohjen e saj nga vendet që ende nuk e kanë bërë.

“Nuk ka takim samit me Vuçiç në këtë samit. Takimet dypalëshe zhvillohen në Bruksel. Ne synojmë të takohemi me ata liderë që t’i bindim të heqin masat e padrejta ndaj Kosovës. Ky samit që mbahet në Tiranë i jep një zë dhe më të fuqishëm rajonit tonë. Edhe që të flasim për heqjen e masave të padrejta ndaj Kosovës. Siç e përmenda edhe për njohjen nga vendet që nuk e kanë njohur. Të gjitha kërkesat e BE ne i kemi plotësuar dhe kemi një vit që presim përgjigje. Nuk e kemi krijuar ne situatën në veri, dhe i kemi ndërmarrë masat e kërkuara”, tha Osmani.

Ajo akuzoi BE-në se sipas saj po lëshon mesazhe të këqija për rajonin tonë, duke thënë se po iu hapet dera atyre që shkojnë në Moskë te Putini dhe po bllokohet Kosova.

Sipas saj, BE-ja nuk po vlerëson reformat e ndërmarra nga Kosova, pavarësisht se sipas saj, ajo është e linjëzuar me politikën e Bashkimit Europian.

“Ka një bllokadë totale nga ana e BE-së, nuk vlerësohet puna jonë, nuk vlerësohen reformat e ndërmarra, nuk vlerësohet fakti që ne jemi 100% me politikat e tyre sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë, por edhe politikave të tjera. Për fat të keq po jepet një mesazh shumë i keq për rajonin tonë. Më shumë po iu hapet dera atyre që shkojnë në Moskë te Putini sesa për ne që nuk shohim rrugë dhe alternativë tjetër veç BE-së”, tha Osmani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë