Lajme

Oskari dhe tezja Rozë: Shfaqja na kujton se s’jemi të përjetshëm

I dashur Zot, sot jetova adoleshencën dhe s’shtyhej fare. Se ç’histori! Pata gjithë ato ngatërresa  me shokët, me prindërit dhe të tëra për shkak të gocave. Sonte s’qahem që jam njëzet vjeç, se i them vetes, uf, kaloi më e keqja. Puberteti, jo të faleminderit! Një herë edhe hahet, por dy...! Një mikesha ime, nga ato librangrënëset e thekura, kujtoi këtë fragment, ndërsa i rrëfente historinë e një libërthi me titullin “Oskari dhe zonja Rozë”, një miku  i cili ankohej se vuante nga një mungesë durimi për ta çuar një libër nga fillimi në fund. Me sytë që i shkëlqenin, mbushur me lot, por pa dashur t’i derdhë, ajo rrëfente historinë e djalit të vogël 10-vjeçar.

I sëmurë me leucemi, Oskari jeton prej një kohe shumë të gjatë në spital, pasi sëmundja nuk  i është përgjigjur trajtimit mjekësor. Duke qenë se askush nuk flet me Oskarin për sëmundjen e tij dhe se çfarë mund të ndodhë, ai ndihet i izoluar, i vetmuar dhe i mjerë. Kur Mami-Rozë, hyn në jetën e Oskarit, përcjell mjaft ndershmëri, ngrohtësi dhe rehati te ky fëmijë i humbur.I udhëhequr nga kjo grua e jashtëzakonshme,  ai bëhet i fortë. Sidoqoftë, Oskari do të vdesë. Mami-Roza i sugjeron t’i shkruajë letra Zotit, në mënyrë që të ndihet më pak i vetmuar...Çdo ditë e kaluar për Oskarin është 10  vjet  e  kështu me udhëheqjen e Rozës, që nuk e lë asnjëherë vetëm të voglin, ai i kalon me lojën e imagjinatës të gjitha fazat e jetës.

https://www.facebook.com/tkeksperimental/videos/563735384056022/

“Do të ta bëj dhuratë këtë libër”, i thotë mikesha ime , mikut tonë të përbashkët, i cili ndante një histori të ngjashme me djalin e vogël, si një i mbijetuar i kancerit...Nuk e di nëse ai mundi  ta çojë deri në fund këtë libër, por  historinë e paharrueshme të shkrimtarit franko-belg Eric-Emmanuel Schmitt, regjisori Kiço Londo, e ka sjellë në skenën e teatrit eksperimental “Kujtim Spahivogli”, duke çelur kështu sezonin e ri artistik. “Oskari dhe tezja Rozë”, është titulli i shfaqjes që vjen premierë në fundjavën e 13 dhe 14 tetorit, ku teksti i Schmitt është dramatizuar nga Chris Simion-Mercurian.Tezja Rozë vjen nën interpretimin e aktores së mirënjohur Roza Anagnosti, e cila në këtë bashkëpunim me të rinjtë, thotë se ndihet si të ishte një nxënëse në provim.Roli i Oskarit i është besuar aktorit të ri Franc Bregu, i cili shpreson ta përcjellë si duhet rrugëtimin prekës të djaloshit.

Duke e përshpejtuar jetën e Oskarit, autori përçon mesazhin se nuk jemi të përjetshëm dhe duhet të meritojmë dhe gëzojmë çdo moment të jetës. Në letrat drejtuar Zotit, Oskari flet edhe për dhimbjet, për prindërit, për shokët dhe shoqet në spital, për shqetësimet, gëzimet e tij, dashurinë e tij të parë, kohën që kalon. ... Pra, po të bëj lutjen e ditës: do të doja që Pegi Blu dhe unë të martohemi. S’jam i sigurt nëse martesa është nga ato gjërat e shpirtit, nëse futet, apo jo te kategoria jote. I  plotëson gjë ti këto lloj kërkesash, tip agjencie martesore?  I shkruan Oskari zotit. Të tjerë aktorë në këtë shfaqje veç Anagnostit dhe Bregut janë edhe Françeska Hysi dhe Juxhin Plovishti.

Regjisori Londo, i cili është edhe drejtor i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ka premtuar një sezon intensiv. Megjithëse i kursyer në komentet e tij rreth çështjes së gpdinës së Teatrit Kombëtar, ai ka folur për gjendjen e teatrit jo vetëm si godinë. "Mendoj se teatri shqiptar është pezull, jo për godinën, por për faktin se teatri rrezikon të shembet për shkak të fragmentarizimit edhe të forcave krijuese në dy kampe". Londo ka zbuluar se aktorja Anagnosti do të jetë edhe në produksione të tjera të këtij teatri, ndërsa ditëlindja e saj e 75-të do të festohet pikërisht në mjediset e këtij teatri, që ende vazhdon të funksionojë në godinën  aktuale, ndërsa Londo ka rrëfyer se teatri eksperimental i ka hapur dyer dhe po punon mbi kacapitetet e veta, me shpresën që ngërçi që  e ka ndarë teatrin në dy kampe, do të kapërcehet.

Dita e fundit e Oskarit është dita e Krishtlindjes, simboli i shpresës së njerëzimit se kjo jetë tokësore është vetëm një udhë drejt destinacionit final, ku nuk do të ketë më vdekje, ndërsa në  lojën e tij prej fëmijësh Oskari i ka jetuar tashmë të gjitha fazat e jetës dhe po e lë këtë botë me urtësinë e një të moçmi, ku ditët maten me dhjetëvjeçarë. A nuk është kjo një nga misteret e njerëzimit? Koha,  aq iluzive që na rrëshqet si rërë ndër gishtërinjtë, e cila ka trazuar mendjet e filozofëve, shkencëtarëve e teologëve... A nuk është vallë një ditë e zotit sa njëmijë vjet dhe njëmijë vite sa një ditë?  Një histori e fortë, me zërin e një fëmije që na bën të ndalemi e të pyesim nëse vitet tanë janë në të vërtetë ditë të shkurtra që rrëshqasin aq shpejt...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë