Nga Gazeta ‘SI’ – Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, OSHEE ka njoftuar skema të reja lehtësuese për debitorët familjarë, biznese apo institucione.
Tashmë, çdo abonent që ka fatura të papaguara në OSHEE do të ketë mundësinë e pagesës me këste duke lidhur një aktmarrëveshje, pa u penalizuar në shërbimin e energjisë.
OSHEE thotë se shlyerja me këste do të aplikohet për faturat e papaguara deri në 31 dhjetor 2022 dhe se klientët duhet të kenë mbyllur detyrimet e 2023-shit.
Të gjithë ata që kanë detyrime të prapambetura të energjisë elektrike qoftë biznese, familjarë apo institucione do të kenë në dispozicion skema të reja lehtësuese për të paguar.
Secila kategori përfituesish ka lehtësime të ndryshme, të cilat përshkallëzohen në varësi të kategorisë së klientit dhe masës së mbartur të debisë që ka secili prej tyre.
Masat lehtësuese janë gjithashtu të ndryshme, duke filluar nga: këstet fikse mujore për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për klientët familjar, falje ose lehtësim i kamatëvonesave në varësi të periudhës së shlyerjes dhe skema e kësteve të ndryshueshme, në varësi të masës së detyrimit për kategorinë e klientëve buxhetor dhe jo buxhetor.
Më konkretisht, përfitimet për secilën kategori klientësh janë si më poshtë:
Klientët familjarë që trajtohen me ndihmë ekonomike, pensionistët-kryefamiljarë, ose klientët me status të veçantë, mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste fikse mujore 1.200 lekë.
Klientët e tjerë familjarë mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste fikse mujore 2.800 lekë.
Klientët jo familjarë, buxhetorë dhe jo buxhetorë mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste të përcaktuara në bazë të vlerës së debisë si më poshtë:
Vlera e detyrimit | Numri maksimal i kësteve |
100.000-300.000 lekë | 24 këste |
300.001-500.000 lekë | 48 këste |
500.001-800.000 lekë | 60 këste |
800.001-1.000.000 lekë | 84 këste |
mbi 1.000.000 lekë | 120 këste |
OSHEE Group miratoi po ashtu skemën e reduktimit të kamatëvonesës kundrejt likuidimit të plotë të debisë së prapambetur deri në 31 dhjetor 2022. Klientët, që shprehin vullnetin t’i likuidojnë njëherësh të gjitha detyrimet e prapambetura me 1 (një) këst, përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masa të ndryshme, sipas kategorive më poshtë:
Klientët familjarë të të gjitha llojeve përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 70%, në rast të shlyerjes së gjithë detyrimit njëherësh.
Klientët jo familjarë, buxhetorë dhe jo buxhetorë përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 50%, në rast të shlyerjes së gjithë detyrimit njëherësh.
Kategoria klientë jo familjarë – biznes i vogël përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 100%, në rast të shlyerjes së tgjithë detyrimit njëherësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.