Ekonomi

‘Ose u jepni paratë fermerëve ose ikni ju!’ Braçe përplaset me ministrinë e Bujqësisë në Komision

Nga Gazeta ‘SI’ – Deputeti socialist Erion Braçe priti me kritika dhe tone të ashpra ministrin e Bujqësisë, në komisionin e Ekonomisë.

Me zë të lartë, Braçe foli për skemën e mbështetjes së fermerëve, të cilët nuk kanë marrë më shumë se 50% të fondit vjetor.

“Është një shifër që më alarmon nga 4.3 mld lekë që ka angazhuar buxheti, mbeten pa paguar 2.2 mld lekë, më shumë se gjysma e parave nuk i janë dhënë fermerëve. Ka përgjegjësi për këtë punë? A ia dalim dot t’i shpërndajmë për 1 muaj e gjysmë? Ju kanë ngelur pa përdorur 2.2 mld lekë, këto para duhet të paguhen brenda këtij viti ose ikni ju!”, bërtiti Braçe.

Zv.ministri Dhimitër Kote, pranoi se ka një vonesë dhe shpjeguan se pjesa e mbetur do të shpërndahet deri në fund të këtij viti, sepse janë para që nuk janë dhënë për mbështetjen me naftë apo të tjera direkte.

Debati vijoi më tej dhe me parashikimin e qeverisë për të ndihmuar fermerët me ndërtimin e 250 hektarëve sera në vit, për të cilën Braçe pyeti se ku do gjenden paratë për to, duke pasur parasysh kostot e larta.

Zv.ministri i Bujqësisë, Dhimitër Kote, tha se paratë për serat janë të parashikuara në fondin e skemës kombëtare dhe se parashikohet rritja e rendimentit me prodhim gjithëvjetor.

Deputeti Braçe pyeti edhe për kompensimin e fermerëve me 10% të TVSH-së dhe si do të ulë informalitetin, por ministri Andis Salla pati vështirësi për t’a sqaruar deputetin socialist i cili i shqetësuar u shpreh “pupupu këta nuk dinë asgjë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë