Art dhe Kulture

Oscars i kërkon falje aktores indigjene 50 vite pasi u ofendua në skenë

Akademia e Oscar i ka kërkuar falje Sacheen Littlefeather, një aktiviste dhe aktore indigjene amerikane, e cila 50 vite më parë u prit me ovacione negative në momentin që u ngjit në skenë për të refuzuar një çmim në emër të aktorit Marlon Brando.

Ajo u shfaq drejtpërdrejt në televizore në vitin 1973 kur refuzoi një Oscar në emër të Marlon Brando, i cili kishte fituar çmimin e aktorit më të mirë për rolin në filmin “The Godfather”.

Brando e refuzoi çmimin në shenjë proteste ndaj Hollywood-it për mënyrën se si industria amerikane e kinemasë përshkruante fiset dhe banorët indigjenë amerikanë.

Akademia tha se Littlefeather u përball më një abuzim të pajustifikuar.

“Kurrë nuk e kam menduar se do të jetoj për të parë ditën kur do ta dëgjoja këtë”, tha aktivistja dhe aktorja për Hollywood Reporter.

Sacheen Littlefeather sot

Littlefeather, asokohe 26 vjeç, jo vetëm që u ofendua në momentin e ngjitjes në skenë, por ajo nuk arrit as që të siguronte më ndonjë rol në filmat hollivudianë për vite me radhë.

Fjalimi i saj ishte, thanë organizatorët, deklarata e parë politike në ceremoninë televizive – duke filluar një trend që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Duke u prezantuar në emër të aktorit Marlon Brando, i cili i kishte përgatitur “një fjalim shumë të gjatë”, ajo i tha shkurt audiencës “se ai me shumë keqardhje nuk mund ta pranojë këtë çmim shumë bujar”.

“Dhe arsyet për këtë janë trajtimi i indianëve amerikanë sot nga industria e filmit dhe në televizion”, tha ajo, duke sjellë si shembull edhe një përplasje të freskët të asaj kohe të një përplasjeje mes agjentëve federalë dhe banorëve indigjenë të SHBA.

Ajo u prit me fërshëllima dhe ofendime nga publiku.

Në vitin 2020, Littlefeather tha për BBC se menjëherë pas fjalimit ajo duhej të largohej nga skena me dy roje sigurie. Por, shtoi ajo, “ishte një gjë shumë e mirë” pasi aktori John Wayne ishte në prapaskenë (i siguruar nga gjashtë persona të sigurisë); ajo tha se ai ishte “i zemëruar me Marlon dhe i tërbuar me mua”.

Brando kishte shkruar një fjalim shumë më të gjatë, por Littlefeather u udhëzua nga organizatorët e ceremonisë që të shpjegonte vetëm në 60 sekonda pse aktori po refuzonte marrjen e tij.

Fjalimi i saj i shkurtër u ndoq live nga 85 mln njerëz. Disa raporte të mediave pas ngjarjes pretenduan se Littlefeather nuk ishte vërtet një amerikane indigjene, por pranoi fjalimin për të fituar famë. Disa të tjerë spekuluan se ajo mund të ishte e dashura e Brandos.

Akademia e Filmit do të organizojë një ceremoni në shtator, në të cilën Littlefeather do të flasë për paraqitjen e saj në Oscars 1973 dhe për të ardhmen e përfaqësimit indigjen në ekran.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë