Kinema

Oscar 2026/Rregulla të reja për votimin, Inteligjencën Artificiale dhe kineastët me status refugjati

Nga Gazeta “Si” – Akademia Oscar ka shpallur një sërë rregullash të reja për ceremoninë e 98-të të Çmimeve Oscar që do të mbahet më 15 mars 2026. Ndryshimet prekin mënyrën e votimit, përdorimin e Inteligjencës Artificiale (AI), pranueshmërinë e kineastëve refugjatë dhe kategoritë e reja si ajo për kastimin.

Sipas rregullit të ri, të gjithë votuesit duhet të kenë parë çdo film të nominuar në kategoritë përkatëse për të pasur të drejtë vote në raundin final. Ky ndryshim vjen si përgjigje ndaj kritikave për mungesë transparence në votim.

Në lidhje me përdorimin e AI-së në prodhimin e filmave, Akademia sqaroi se teknologjia nuk ndikon në pranueshmëri , as si avantazh, as si pengesë. Megjithatë, theksohet se vlerësimi do të bazohet te prania e autorësisë njerëzore në procesin krijues.

Një hap i rëndësishëm është bërë edhe për kineastët me status refugjati apo azilkërkuesi. Tashmë ata mund të përfaqësojnë një shtet që nuk është vendlindja e tyre, për sa kohë kanë pasur kontroll të qartë krijues mbi filmin. Ky ndryshim u bë i dukshëm vitin e kaluar, kur regjisori iranian Mohammad Rasoulof, pasi u arratis nga Irani, përfaqësoi Gjermaninë me filmin “The Seed of the Sacred Fig” i cili u nominua për Oscar.

Risia tjetër është kategoria e re për kastin . Pas një raundi paraprak për përzgjedhjen e 10 filmave, anëtarët përkatës të Akademisë do të ndjekin prezantime të veçanta me sesione pyetje-përgjigje me të nominuarit, për të vendosur fituesin.

Ndryshimet vijnë në një kohë kur Akademia po përpiqet të përmirësojë transparencën, gjithëpërfshirjen dhe përfaqësimin në një industri në zhvillim të vazhdueshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë