Kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, mbështet të drejtën për protestat e studentëve, por nga ana tjetër nxit ftesën për dialog nga ana e qeverisë, duke saktësuar se për gjithçka, kjo e fundit mund të vendosë ose bëjë lëshime.
Diplomati gjerman e cilëson të shëndetshëm reagimin e të rinjve, të cilët sipas tij janë të shqetësuar për gjendjen e Shqipërisë.
“Tematika origjinale e protestës nuk hyn në mandatin e OSBE-së, prandaj nuk komentojmë lidhur me të. Sigurisht, ne mbështesim të drejtën për protesta demokratike paqësore dhe nxisim për dialog, por, në fund, vetëm qeveria mund të vendosë nëse do të ofrojë lëshime për pika të politikave. – tha Borchardt për A2 News. – Forca e ndjenjave mes të rinjve është shenjë e shëndetshme, e përkushtimit dhe shqetësimit të tyre për gjendjen e Shqipërisë sot, në veçanti zemërata e tyre kundër korrupsionit të përhapur. Nëse të rinjtë e ndiejnë veten viktima të korrupsionit dhe janë të frustruar me vendin e tyre, ata do të përpiqen të ikin dhe kjo do të ketë pasoja negative për vendin dhe për pjesën tjetër të Evropës”.
Kreu i prezencës së OSBE-së, i bën thirrje politikës dhe biznesit që të mos ndërjyjë dhe shtrembërojë kauzën e të rinjve.
“Pasioni i tyre është pozitiv dhe unë shpresoj që ata të qëndrojnë në vijën e tyre të paqtë. Ata duan progres për vendin; është e rëndësishme që argumentet e tyre të dëgjohen. Ndërkohë, u bëj thirrje forcave të jashme, nga politika dhe biznesi, të mos përpiqen të ndërhyjnë dhe ta shtrembërojnë çështjen: një ndërhyrje e tillë nuk është në të mirën e askujt”, – theksoi Borchardt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




