Gazeta Si – Gjykata e Posaçme dënoi me 35 vite burg Jemin Sherën i akuzuar si organizatori i vrasjes së Behar Sofisë, i ekzekutuar më 25 shkurt të vitit 2021.
Vendimi ndaj Sherës u dha në mungesë, pasi i pandehuri është në arrati dhe procesi është zhvilluar në prani të avokatëve të tij.
Sipas SPAK, nga hetimet del se Shera e ka marrë porosinë për të ekzekutuar Behar Sofinë dhe për ta realizuar vrasjen ka krijuar grupin kriminal.
Pjesëtarët e grupit e kanë vëzhguar shënjestrën e tyre për gjashtë muaj më radhë deri në momentin kur e ekzekutuan mëngjesin e 25 shkurtit 2021 në afërsi të zonës së Piramidës në Tiranë.
Shera u gjykua në mungesë në një proces të veçuar nga të akuzuarit e tjerë për të njëjtën ngjarje.
SPAK shkoi drejt identifikimit të Jemin Sherës, si një nga organizatorët e kësaj ngjarje nga disa pamje të kamerave të sigurisë, ku ai qëndronte para vrasjes me shtetasin tjetër të konsideruar organizator, Skënder Vathin.
Më herët, 127 vite burg ka dhënë Gjykata e Posaçme për 5 të dyshuarit për organizimin dhe vrasjen e Behar Sofisë. Xhuliano Visha, Leonard Xhixha, Skënder Vathi dhe Bujar Leza janë dënuar me nga 30 vite burg për ngjarjen, ndërsa bashkëpunëtori i drejtësisë, i cili është edhe ekzekutori i Sofisë, Ernejt Shyti është dënuar me 7 vite heqje lirie për ekzekutimin e kryer në qendër të Tiranës, pranë Piramidës.
Shyti, pas identifikimit vendosi të flasë për drejtësinë dhe tregoi se si për vrasjen e ndodhur iu premtuan 50 milionë lekë, por që nuk arriti t’i merrte.
Si i penduar i drejtësisë, në tetor 2023, ai rrëfeu para prokurorëve se si kishte nisur plani për ekzekutimin e Sofisë pas kërkesës së bërë nga shtetasi Xhulio Visha, miku i tij.
Viktima u ndoq për disa ditë në itinerarin e lëvizjeve që bënte dhe gjatë kësaj kohe, i riu i identifikuar nga rrobat që hodhi gjatë arratisjes, bënte prova me armën e zjarrit, pasi nuk e kishte përdorur më parë.
Ernejt Shyti gjithashtu ka treguar se të njëjtët persona të akuzuar në këtë vrasje, kishin në plan të kryenin edhe ngjarje të tjera me pagesë.
Pasi u arrestua në Mal të Zi, Shyti vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë dhe tregoi bashkëpunëtorët e tjerë Skënder Vathi, 54 vjeç, Leonar Xhixha, Xhuljano Visha. Ndërsa Bujar Leza u zbulua nga hetuesit disa muaj më vonë pas ngjarjes.
Sipas hetimeve, Behar Sofia, i cili konsiderohet nga policia si “baron i drogës”, është vrarë për shkak të konflikteve të hershme për trafikun e heroinës nga Turqia në drejtim të Shqipërisë dhe më pas në vendet e BE.
Policia dhe Prokuroria dyshojnë e pas vrasjes së tij qëndron një grup shumë i fuqishëm kriminal me të cilin Behar Sofia, edhe pse ishte tërhequr nga aktiviteti kriminal dhe mbante një profil të ulët publik kishte hesape të pambyllura.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.