Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, në bashkëpunim me shoqatat patriotike, shkollat shqipe dhe klubet e studentëve në New York, New Jersey, Philadelphia dhe në komunitetet e tjera shqiptare, ka bërë të ditur organizimin e edicionit të parë të Festivalit të Librit Shqiptar – AlbanianBookFest në Shtetet e Bashkuara. Aktiviteti synon të shndërrohet në një festë të librit, kulturës dhe identitetit kombëtar për mbarë diasporën.
Gjatë dy ditëve të festivalit, libri shqip nga të gjitha trevat shqiptare do të vihet në qendër të vëmendjes. Letërsia, gjuhësia, historia, kultura dhe trashëgimia shqiptare do të prezantohen në një hapësirë të përbashkët kushtuar vlerave atdhetare dhe kulturore.
Sekretar i shoqataës panshqiptare “Vatra” në SH.B.A Dr. Pashko Camaj u shpreh për mediat se ishte entuziast për këtë event i cili u frymëzua nga Konica dhe Noli dhe synon të shndërrohet në një traditë.

“Albanian BookFest lindi nga nevoja për të krijuar në SHBA një hapësirë ku libri shqiptar të jetë i pranishëm për komunitetin tonë. ‘Vatra’, e frymëzuar nga trashëgimia e Nolit dhe Konicës, e përqafoi menjëherë këtë ide. Jam i lumtur që kjo nismë po merr jetë dhe shpresoj të kthehet në një traditë të përvitshme, madje të shtrihet edhe në qytete të tjera. Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë do të marrë pjesë me autorë dhe libra të diasporës, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë me lexuesit. Besoj se ky festival do të bëhet një urë e fortë midis kulturës shqiptare dhe botës, një festë e librit, gjuhës dhe shpirtit shqiptar.”

Në këtë edicion do të marrin pjesë 26 shtëpi botuese prestigjioze nga Shqipëria, Kosova dhe trojet e tjera shqiptare, mes tyre Onufri, Toena, Fishta, Buzuku, Dukagjini e të tjera. Po ashtu do të ekspozohen vepra të autorëve më të njohur të letërsisë shqipe, përfshirë Ismail Kadarenë, Gjergj Fishtën, Petro Markon, Mira Meksin, Besnik Mustafajn, Primo Shllakun, Martin Camajn, Visar Zhitin etj., të prezantuara së fundmi edhe në Panairin e Librit të Tiranës. Ceremonia e hapjes do të mbahet në datë 28 Nëntor, dhe panairi do të qëndrojë i hapur deri më 30 Nentor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



