Mbi dy orë kaos dhe tension në kryeqytet. Djegie koshash, xhama të thyer institucioneve, gurë, hekura dhe pllaka të shkulur, semafore te prishur, ishte panorama e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” nga Sheshi “Skenderbej” e deri tek ish-Zona e Bllokut, shkaktuar nga një grup protestuesish të rinj në moshë, e nisur fillimisht në shenje proteste ndaj vrasjes së 25 vjeçarit, Klodian Rasha nga një efektiv i Policisë, por që përfundoi në kaos dhe dhunë.
Për më shumë se dy orë, protesta e të enjtes për vrasjen e Klodian Rashës u shoqërua me tensione të shumta.
Një grup protestuesish fillimisht sulmuan me gurë Ministrinë e Brendshme në orën 18.00, teksa paralelisht kryeministri Edi Rama njoftonte dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, përmes një deklarate të paralajmëruar.
Ndryshe nga një ditë më parë, protestuesit kësaj here ishin më të paktë në numër, por agresive dhe të shpërndarë në grumbullime të vogla në disa pika, duke krijuar kaos.
Fillimisht ata gjuajtën me sende të forta drejt Policisë dhe Ministrisë së Brendshme për tu zhvendosur një pjesë e tyre, në Sheshin “Skënderbej”, aty ku disa prej tyre gjuajtën me gurë duke thyer xhamat e Muzeut Historik Kombëtar.
Gjatë rrugës nuk kanë kursyer as kazana me plehra duke u vënë flaken, përmbysje të zbukurimeve, bllokime rrugesh, një situatë kjo që ka sjellë në disa pika kyçe edhe bllokimin e trafikut në Tiranë.
Situata vijoi të ishte kaotike mbi dy orë ndërsa një grup protestuesish herë shpërndaheshin nga ndërhyrja e Policisë me gas lotsjellës, e herë grumbulloheshin sërish në disa nyje të Tiranës, por larg kryeministrisë apo Ministrisë së Brendshme.
Disa protestues u zhvendosën drejt Myslym Shyrit. Ndërsa disa të tjerë u futën për një moment edhe në ambientet e Ministrisë së Financave.
Një tjetër bërthamë e tyre u drejtua drejt rrugës së Librit Universitar për të përfunduar tek zona e Bllokut ku dogjën më së shumti koshat e plehrave, gjuajtën me kapsolla, shkulën disa tabela nga vendi dhe prishën disa semaforë.
Paralelisht me situatën kaotike në kryeqytet, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj njoftoi përmes rrjeteve sociale dorëheqjen e tij të parevokueshme, ndërsa vetëm pak minuta më vonë, reagoi sërish Rama, duke pranuar vendimin e tij.
Situata kaotike nga një grup të rinjsh (mes tyre nën 18 vjeç) vijuan më shumë së dy orë nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit, ndërsa panorama në pikat kryesore të Tiranës kishte pamje kaosi.
E njëjta situatë u pa me heret edhe ne disa qytete kryesore të vendit si Korçë, Elbasan, Lezhë, Vlorë, Mamurras por që nuk zgjati shumë. Gjithçka u qetësua mbasdite, ndërsa situata mbeti e tensionuar vetëm në Tiranë, duke filluar nga ora 18.00 e duke përfunduar përtej orës 21.30, edhe pse situata të vogla tensioni kanë vijuar në disa pika të kryeqytetit deri në mbremje vonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

































