Art dhe Kulture

“OPUS CLASSIC 2021”, Ermonela Jaho vlerësohet me çmimin e madh në Gjermani

Sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho, është shpallur së fundmi fituesja e çmimit të muzikës vokale për vitin 2021, për OPUS CLASSIC 2021.

Lajmin e ka dhënë vetë sopranoja përmes një postimi në rrjetet sociale teksa ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur në rrugëtimin e saj.

“Koha për të ndare disa foto nga çmimi dhe koncerti gala. Flm ICMA për nderin dhe flm “Opera Rara” për punën e mrekullueshme të ekipit. Dua gjithashtu të falënderoj Lichtenstein për mikpritjen dhe dizenjueset e fustaneve të mia Enada At’Nikolla Mirela Nurce dhe B&B Couture. Një vepër arti ka shpesh shumë autorë megjithëse mban emrin e një personi të vetëm. Flm për mbështetjen…”, ka shkruar Jaho.

Ky vlerësim ka sjellë reagime të shumta nga artistë të ndryshëm, që kanë uruar sopranon e njohur.

Me anë të një postimi në Facebook edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti shkruan se është vlerësim i merituar.

“Në një ceremoni si kjo, gjithë mirënjohja dhe krenaria jonë shkon për ty! Urime Ermonela Jaho! Një çmim i merituar!”, shkruan Margariti, që ka publikuar dhe foto gjatë ceremonisë së çmimit.

Ndërkohë që dhe drejtoresha e TKOB, Zana Çela, më herët ftonte për të ndjekur sopranon në këtë mbrëmje çmimesh, duke publikuar dhe linkun për të ndjekur ceremoninë në Gjermani. “Krenari dhe mirënjohje”, shkruante drejtoresha Çela.

Sopranoja shqiptare ishte nominuar si këngëtarja e vitit për OPUS CLASSIC 2021 për vokalin në albumin e ri të saj “Anima Rara”. “Anima Rara”, albumi debutues i Ermonela Jahos, eksploron muzikën e mbështetur nga Rosina Storchio, një nga sopranot lirike më karizmatike të epokës së verizmit.

Në “Anima Rara” Ermonela interpreton 14 arie, të cilat në një orë e 10 minuta sjellin muzikën klasike më të vlerësuar në botë.

OPUS KLASSIK është çmimi i ri për muzikën klasike në Gjermani që synon promovimin e muzikës klasike dhe vlerësimin e artistëve. Jaho ndërkohë është fituesja e një sërë konkursesh ndërkombëtare.

Më 1997, “Giacomo Puçini” në Milano; 1998, “Spontini” në Ankona; 1999, “Zandonai” në Rovereto;  më 2000 merr çmimin e artistit më të mirë lirik në Festivalin e Weksfordit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë