Befasitë në luftën për titull nuk kanë munguar asnjëherë në ndërrimin e viteve në Premier League. Këtë vit ndodhi në “Stamford Bridge” në raundin e 18. Chelsea kishte nevojë për një fitore pas 2 pikëve të lëna ndaj Everton në sfidën e fundit. Për këtë mendoi i zakonshmi Cole Palmer që i kaloi në avantazh ndaj Fulham me të 26-in gol në Premier League gjatë vitit 2024. Shënuesi më i mirë në historinë e Chelsea-t në një vit kalendarik në kompeticion.
Mirëpo Fulham kishte objektiva të tjera dhe Harry Wilson gjeti golin e barazimit përpara se zëvendësuesi Rodrigo Muniz të shënonte golin e fitores për të besuarit e Marco Silva-s në kohën shtesë. Kjo ishte humbja e parë e Chelsea-t prej Tetorit të vitit 1999 në Premier League, kur kryesonte deri në minutën e 82-të. Gjithashtu ishte humbja e parë në më shumë se dy muaj duke zvogëluar shanset e bluve nga 3.1% në 1.3% nisur edhe nga rezultatet pozitive të rivalëve në përballjet post Krishtlindje.
Liverpool u tremb në “Boxing Day” kur mbeti në disavantazh ndaj Leicester City-t në Anfield-in e mbuluar nga mjegulla. Cody Gakpo barazoi përpara pushimit dhe më pas “banda” e Arne Slot ja doli të fitonte 3-1 dhe rriti diferencën në krye të Premier League. Pas kësaj fitoreje shanset e “The Reds” për titull u rritën në 87.8%.
Arsenal është në të njëjtën situatë pas fitores minimale ndaj Ipswich Town në “Emirates Stadium” falë golit të Kai Havertz në pjesën e parë. Sukses që e pa skuadrën e Mikel Arteta-s të kalonte Chelsea-n në vendin e dytë, 6 pikë pas Liverpool që ka një ndeshje më pak. Shanset e Arsenal për titull tani janë vetëm 10.7%, por janë komodë në vendin e dytë si favoritët që presin gabimet e mundshme të liderëve.
Forma zhgënjyese e Manchester City-t vazhdoi me barazimin 1-1 në shtëpi përballë Everton. Bernardo Silva i dha avantazhin City-t përpara se Iliman Ndiaye barazoi për të besuarit e Sean Dyche. Për të rënduar akoma më shumë pozitat e “Citizens” mendoi Jordan Pickford që priti penalltinë e Erling Haaland në pjesën e dytë. Kurrë mos thuaj kurrë për Man City-n, por djemtë e Pep Guardiola-s kanë fituar 5 pikë nga 9 ndeshjet e fundit në kampionat. Aktualisht janë 14 pikë larg kreut dhe kanë zhvilluar një ndeshje më shumë se Liverpool. Superkompjuteri i Opta-s ju jep atyre vetëm 0.2% shance për rifitimin e titullit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.